“Gërdeci”, hapet zyrtarisht procesi. Prokuroria: Shpërthimi, gabim njerëzorNga Tema Procesi gjyqësor në ngarkim të 29 të pandehurve, që cilësohen si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec, është hapur zyrtarisht ditën e djeshme. Pr
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
“Gërdeci”, hapet zyrtarisht procesi. Prokuroria: Shpërthimi, gabim njerëzorNga TemaProcesi gjyqësor në ngarkim të 29 të pandehurve, që cilësohen si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec, është hapur zyrtarisht ditën e djeshme. Prokuroria më në fund ka mundur që të lexojë aktakuzën për dosjen, ndërsa shpërthimin në Gërdec e ka cilësuar si një gabim njerëzor. Ndërkohë, ndryshe nga dorëzimi i dosjes në gjykatë, prokuroria nuk e ka cilësuar ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si të pandehur, duke e cilësuar atë si shtetas.
Aktakuza
Pas shtyrjeve pafund të seancave gjyqësore, prokuroria ka mundur dje që më në fund të lexojë aktakuzën ndaj 29 personave të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, në të cilën humbën jetën 26 persona. Në fillim të seancës gjyqësore, në të cilën kanë qenë të pranishëm të gjithë avokatët mbrojtës të të pandehurve, gjykata e kryeqytetit ka hedhur poshtë kërkesat e këtyre të fundit. Kështu, gjykata ka rrëzuar kërkesën e ish-zëvendëskomandantit të Shtabit të Përgjithshëm, Agim Lala, i cili kishte kërkuar gjykim të shkurtuar. Përveç kësaj, gjykata ka rrëzuar edhe kërkesat e shkeljes së afateve hetimore, kërkesat për pavlefshmëri të ekspertizave të kryera nga ana e organit të akuzës etj. Pas këtij momenti, kreu i trupit gjykues, Ridvan Hado, i ka dhënë fjalën përfaqësuesit të organit të akuzës. Ky i fundit ka lexuar padinë prej 108 faqesh ndaj 29 të pandehurve, duke paraqitur provat që rëndojnë ndaj tyre për shpërthimin e 15 marsit. Gjatë fjalës së tij, përfaqësuesi i organit të akuzës e ka cilësuar si një gabim njerëzor shpërthimin e 15 marsit në Gërdec. Ky i fundit tha se, në momentin që po kryhej një saldim brenda ambienteve ku kryhej demontimi, shkëndijat elektrike kanë rënë mbi masën e madhe të barutit dhe kanë shpërthyer. Dëmi material që shkaktoi ky shpërthim, sipas prokurorisë, kap shifrën e 1.4 miliardë lekëve. Organi i akuzës ka lexuar të njëjtën akuzë që kishte paraqitur në kohën që dorëzoi në gjykatë dosjen, të cilat tashmë janë bërë edhe publike. I vetmi ndryshim në këtë dosje ka qenë cilësimi i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kështu, nga i pandehur që ishte cilësuar më parë, ditën e djeshme kjo fjalë është zëvendësuar me emrin shtetas. Kjo, pas pushimit të dosjes penale në ngarkim të tij nga ana e Gjykatës së Lartë një muaj më parë. Nuk dihet ndërkohë, nëse prokuroria do të kërkojë sërish heqjen e imunitetit të këtij të fundit, pas dorëzimit të ri-kallëzimit penal të bërë nga ana e familjarëve të viktimave të Gërdecit disa javë më parë. Veprimet, të cilat sipas prokurorisë rëndojnë mbi 29 të pandehurit, janë mënyra e përcaktimit të zhvillimit të tenderit për dhënien me koncesion firmës “AlbaDemil” për demontimin e fishekëve dhe municioneve në Gërdec, zgjedhjen e Gërdecit si vend për demontimin e municioneve, në kohën që ky i fundit ishte i banuar etj. Në bankën e të akuzuarve për shpërthimin e 15 marsit gjenden 29 persona. Tragjedia për të cilën akuzohen të pandehurit ka ndodhur një vit më parë, kur si pasojë e shpërthimit të fabrikës në të cilën kryheshin demontimet e municioneve, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Nga fuqia shpërthyese u shkatërruan edhe një numër i madh banesash dhe biznesesh, të cilat ndodheshin përreth. Sipas prokurorisë, të 29 të pandehurit, ndaj të cilëve rëndojnë akuza të ndryshme, kanë ndikuar me veprimet dhe mosveprimet e tyre në shpërthimin tragjik të kësaj punishteje, që solli vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve të plagosur.