Financimet e huaja, zhduken paratë e donatorëve

Gjatë viti 2007 janë vënë në zbatim vetëm 16.4 miliardë lekë financime të huaja, nga 32.4 miliardë lekë të planifikuara. Ministritë përfituese kanë fshehur bilancet lidhur me fondet e përfituara nga financimet e huaja
Përveç rasteve abuzive me paratë e donatorëve, shumë për të dëshiruar lë edhe plani i realizimit në përqindje për financimet e huaja. Kështu, për vitin 2007, qeveria shqiptare ka realizuar shpenzime kapitale me financim të huaj në masën 52 për qind.
Në përfshirjen në planin e fondeve me financim të huaj dhe në detajimin e tij nuk kanë pasur prioritet projektet që janë në vazhdim, kjo në kundërshtim me udhëzimin e Ministrisë së Financave, “Për zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2007”. Nga kontrollet e ushtruara në Ministrinë e Financave, ka rezultuar se nga kjo e fundit nuk është bërë evidentimi i saktë i financimit të huaj sipas ministrive, si për shpenzimet e planifikuara, ashtu edhe për ato faktike. Kështu, plani fillestar i investimeve të huaja për vitin 2007 ka qenë në shumën e 32.4 miliardë lekëve, ndërsa me aktin normative të fundvitit të kaluar, këto fonde u pakësuan në 15.4 miliardë lekë, duke bërë kështu që plani përfundimtar të paraqitet në shumën e vetëm rreth 16.4 miliardë lekëve.
Institucionet shkelin ligjin
Mangësitë e mëdha në raportimin e disa ministrive lidhur me shpenzimet faktike për financimet e huaja, ka bërë që Ministria e Financave të mos bëjë evidentimin e shpenzimeve dhe të ardhurave në tabelën përmbledhëse. Sipas ministrive “shkelëse” të ligjit, këto janë projekte që nuk janë projekte që nuk janë planifikuar në buxhetin e shtetit, çka i ka bërë të mos hapin kodet. Në raportin e detajuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, thuhet se, “vlen për t’u theksuar se mosevidentimi i të ardhurave dhe shpenzimeve dhe mospërfshirja e shpenzimeve faktike në tabelën fiskale përbën shkelje të ligjit organik të buxhetit të shtetit dhe është përgjegjësi e Drejtorisë së Thesarit dhe Kontabilitetit me Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit, të cilat duhej të bashkëpunonin dhe të zgjidhnin problemin e evidentimit të financimit të huaj”.
Grantet në natyrë
Për grantet e lëvruara në natyrë, ministritë duhej t’i regjistronin dhe kanalizonin ato detyrimisht nëpërmjet degëve të thesarit në llogaritë e të ardhurave të buxhetit të shtetit, procedurë kjo që nuk është zbatuar nga institucionet përfituese.
Sanksionet që duhen marrë
Edhe pse asnjë nuk është ndëshkuar për abuzimet me financimet e huaja, KLSH-ja tregon se në bazë të udhëzimit nr. 8, datë 17.02.2003, në rastet kur nuk zbatohen afatet kohore të dërgimit të raporteve, ka pasaktësi në raportime apo kur ministritë, institucionet qendrore dhe organet e pushtetit vendor marrin e shpenzojnë ndihma e hua dhe nuk i regjistrojnë në llogaritë përkatëse të buxhetit nëpërmjet sistemit të thesarit, Ministria e Financave duhet të bëjë verifikimet e duhura dhe të pezullojë kryerjen e transaksioneve nga degët e thesarit për llogari të këtyre institucioneve.