Qeveria premton: Do ta ulim deficitin
Mungesë transparence mbi projektet që do të shkurtohen dhe shumë propagandë për të fshehur realitetin
Për herë të parë, qeveria pranon se do të respektojë marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar
Shpresa te privatizimet
Zyrtarë të Ministrisë së Financave bënë të ditur se shpresa e tyre për të mbajtur shpenzime të larta lidhet ngushtë me privatizimin e kompanisë shtetërore të naftës, ARMO. Ofertat për privatizimin e ARMO-s pritet të hapen pasnesër. Disa zyrtarë të ARMO-s dhe të qeverisë kanë aluduar se kompania do të kushtojë jo më pak se 110 milionë euro. Por konsulenti ndërkombëtar për privatizimin ka shprehur shqetësimin se vetë deklarimi i kësaj shifre është i dyshimtë. Sipas konsulentit, asnjë shifër konkrete nuk mund të jepet për sa kohë nuk janë hapur ofertat. Kur u hodh për privatizim për herë të parë, në vitin 2004, për ARMO-n pati vetëm një ofertë, e cila e kërkoi pronësinë e kompanisë përkundrejt pagesës simbolike të 1 Euroje dhe premtimit të investimeve prej rreth 25 milionë euro. Të dhënat financiare mbi asetet dhe të ardhurat e ARMO-s nuk janë bërë kurrë publike. Shifra të dhëna shkarazi, flasim për të ardhura prej rreth 100 milionë euro në vit. Rafineria e ARMO-s në Ballsh konsiderohet si joefikase për shkak të kapacitetit të vogël, teknologjisë së vjetër dhe kostos.
Përfaqësues të qeverisë pranuan dje për herë të parë se qeveria do të ulë deficitin buxhetor nga 7.9 në 5.2% të PBB-së, duke respektuar në këtë mënyrë marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Zv/ministri i Financave, z.Florion Mima deklaroi në Komisionin parlamentar të Ekonomisë se "ulja e deficitit është e mundur dhe se ajo do të bëhet brenda pak muajsh". Njoftimi i parë i qeverisë qe "ulja e deficitit në 5.2% të PBB-së", pa dhënë sqarime të hollësishme. Kryeministri dhe ministri i Financave nuk kanë sqaruar ende se çfarë nënkupton kjo ulje deficiti, por janë mjaftuar duke thënë se në përgjithësi, "shpenzimet do të mbulohen nga tejkalimi i të ardhurave tatimore". Llogaritë e buxhetit të kryera në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto nuk kanë lidhje me nivelin e të ardhurave tatimore. Ulja e deficitit nga 79. në 5.2% të PBB-së përbën asgjë tjetër, veçse ulje të shpenzimeve me 242 milionë euro pavarësisht të ardhurave tatimore.
Kriza
Kriza aktuale e financave publike po krahasohet gjithnjë e më shumë me krizën e likuiditetit të vitit 2001-2002. Në atë kohë, qeveria planifikoi shpenzime të bollshme në pritje të të ardhurave nga privatizimi i Bankës së Kursimeve dhe Albtelecom-it. Kur të dyja privatizimet dështuan, qeveria u gjend në kushtet kur duhej të ulte menjëherë shpenzimet në shkallë të gjerë, ndërkohë që kishte nevojë për financime urgjente për blerje energjie elektrike nga importi. Sot, situata është më ndryshe. Qeveria nuk ka mungesë të ardhurash, pasi të ardhurat janë tejkaluar, por realizimi i planit të fillimvitit për shpenzime prej rreth 3 miliardë eurosh, rrezikon të rrisë importet e të shtojë deficitin e llogarisë korrente, duke vënë në dyshim stabilitetin e kursit të këmbimit dhe të gjithë stabilitetin ekonomik të vendit. Në të njëjtën kohë, qeveria ka shpenzime të paplanifikuara shtesë për rrugën Durrës-Kukës dhe për financimin e KESH. Në këto kushte, ulja e shpenzimeve buxhetore me 242 milionë euro, siç është rënë dakord me FMN-në, kërkon sakrifikim të pothuajse të gjitha projekteve të investimeve me fonde të brendshme.
Shkurtimet te Transportet
Nga totali i Buxhetit të Shtetit, shpenzimet më të mundshme janë te fondi i investimeve prej 880 milionë eurosh dhe nga të gjitha këto investime, shumica dërrmuese i përkasin Ministrisë së Transporteve. Nga 610 milionë euro që është buxheti i Ministrisë së Transporteve, investimet e huaja nuk mund të shkurtohen, ndërsa investimet e brendshme prej 175 milionë eurosh, janë të pamjaftueshme për të ulur deficitin deri në 5.2% e PBB-së. Ekspertët e financave publike bëjnë të qartë se ulja e shpenzimeve në këto përmasa përbën një sprovë force për qeverinë. Aktualisht, ka shumë pak gjëra ku mund të kursehet.
Shirita, në vend të transparencës
Si në vitin 2002, ashtu edhe sot, qeveritë po e trajtojnë problemin e shkurtimeve të buxhetit pa minimumin e transparencës. Përkundrazi, prerja e shiritave dhe fjalë të hedhura kalimthi, po përpiqen të fshehin krizën reale në të cilën gjendet vendi. Për më tepër, populizmi në prag të zgjedhjeve të vitit 2009, përbën një rrezik real për financat publike.