Fushata pa fushatë
Skënder Minxhozi
Dikush të ofron një politikë të re, një tjetër të fton në një referendum sepse ka marrë zjarr kushtetuta, kurse një i tretë përpiqet të të mbushë mendjen se shpërthimi i Gërdecit është një flakë kashte në krahasim me anëtarësimin në NATO. Të vjen të shohësh nga kalendari e të pyesësh se mos zgjedhjet e vitit të ardhshëm janë afruar me një vit. Ka një fermentim të dukshëm në radhët e politikës shqiptare në javët e fundit një dëshirë të ringjallur për t’u përplasur, debatuar dhe për t’u peshuar përballë zgjedhësve. Ç’ka është në fund të fundit, mesa duket, një tendencë e lexueshme për t’i djegur javët dhe muajt që na ndajnë nga zgjedhjet e verës 2009 dhe për të nisur që tani një fushatë... pa rënë ende gongu i fushatës. Turit disamujor të Ramës i është shtuar së fundi xhiroja e ngjyer me simbolin e NATO-s e Berishës dhe më në fund alarmi taktik i Metës për rrezikimin e demokracisë në Shqipëri.
Të tre krahët politikë (nëse mund ta konsiderojmë si palë të tretë koalicionin referendar) e marrin startin nga pikënisje krejt të ndryshme politike, taktike apo elektorale. Prej muajsh, qëkurse mori vendimin se qëndrimi në Tiranë ishte më pak rezultativ për një kryetar opozite që nuk ishte anëtar i Parlamentit, sesa dalja në bazë, Edi Rama ndjek instinktin e tij politik të përçimit të asaj që ai e quan “politika e re”, përmes kontaktit me njerëzit në të katër anët e vendit. Kjo risi, që në fillimet e saj u pa me dyshim, rezulton sot si një gjetje autentike e kreut të PS, në kushtet kur vegjetimi në thashethemnajën e Tiranës do ta përballte më shumë me problemet sesa me zgjidhjet. Mbetet ndërkaq për t’u parë sesi Rama ka vendosur ta lidhë turin e tij disamujor, me fushatën elektorale që po afrohet. Për arsye taktike e psikologjike, duket e arsyeshme që “Dialogu me Shqipërinë” të ndahet nga fushata e vërtetë që pritet të nisë pak a shumë në pranverën e ardhshme. Edhe vetë kryetari i PS e ka pranuar se turi i tij nuk do të vijojë si i tillë deri në ditën e votimit, por mbetet e paqartë faza finale e Dialogut dhe mënyra e konkludimit të tij.
Kjo lëvizje e PS i përkon nevojave dhe planeve konkrete që kjo parti ka hedhur në letër për vitin elektoral. Një listë të ngjashme duket se po e harton edhe Berisha, nga pozitat e kreut të maxhorancës. Kryeministri sapo përfundoi një tur të shkurtër, të mbarsur me shifra suksesesh, dekore me ngjyra të ndezura dhe plot muzikë e fishekzjarrë. Një përzierje që normalisht shoqëron ditët e fundit të një fushate klasike. Nëse do vërehej me kujdes, ky “impuls” i papritur i kryeministrit për të komunikuar fort mesazhin “Shqipëria në NATO” në disa qytete të vendit, nuk ka ardhur spontanisht e aq më pak thjesht si një dëshirë për të reklamuar anëtarësimin në një aleancë ushtarake. Arsyet e kësaj dëshire të beftë për dialog me zgjedhësit, duhen kërkuar kryesisht në momentin e vështirë që ai dhe qeveria e tij po kalojnë pas një numri ngjarjesh që e kanë ridimensionuar imazhin e PD dhe të kryeministrit në popull.
Hija e Gërdecit rëndon me peshë plumbi (në sensin konkret të fjalës) mbi qeverinë dhe maxhorancën. Një ndjenjë ankthi që mund të pritet me thikë, mbretëron sot djathtas, lidhur me fatin e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, të cilat mund të sjellin diçka më tepër sesa një rotacion të thjeshtë politik. Reforma të ngecura, mungesë e lexueshme vizioni qeverisës, histori korruptive si ato që kanë ngërthyer deri tani tre ministrat më të rëndësishëm të qeverisë apo dosje të errëta si ajo e Remzi Hoxhës – të gjitha këto nuk mund të jenë thjesht detaje dhe incidente kalimtare. Berisha e di fare mirë se gota është mbushur dhe po derdhet. Ai e di se në këto zgjedhje luan me qëndrimin ose jo në jetën politike aktive. Ai e ka pranuar këtë hapur së fundi, duke dhënë të kuptohet qartë se një humbje elektorale në vitin 2009 do të sillte mënjanimin e tij nga politika, një skenar me shumë të panjohura ky, brenda të djathtës.
Në këtë ndeshje të mëdhenjsh, LSI dhe Ilir Meta përpiqen të gjejnë vendin dhe identitetin e tyre. Deri më sot, sipas një strategjie të mençur, kreu i LSI ka mundur të mbajë në dorë skeptrin e forcës së tretë në politikën shqiptare. Por 21 prilli duket se ndryshoi shumëçka prej raporteve të vendosura pas 3 korrikut me PS dhe PD. Aprovimi i një sistemi zgjedhor, i cili duket i ndërtuar për të eliminuar, ose së paku për të tkurrur palët e treta, jashtë bipolarizmit PD-PS, ka provokuar reagimin e ashpër të LSI dhe partive rreth saj. Në fakt, konflikti i heshtur i Metës me Ramën ka qenë një temë rregullisht aktuale dhe e modës në media dhe opinionin publik. Mesa duket, tashmë ndodhemi pikërisht në momentin kur kjo përplasje nuk është më diçka e supozuar, por reale dhe potencialisht e rrezikshme për të majtën. Meta dhe partia e tij janë rikthyer në pozitat e vjetra të pas 3 korrikut, kur edhe pse Nano u dorëhoq, u desh një farë kohe që LSI të ulë parzmoren e luftës kundër PS. Tani situata duket sa e ndryshme, aq edhe e ngjashme. E ndryshme, sepse kemi një kuadër të ri rregullash, që i acarojnë marrëdhëniet mes dy partive. E ngjashme nga ana tjetër, sepse edhe një herë LSI po kërkon të faktorizohet jo përmes aleancave dhe kompromiseve, por për mes konfliktit. Referendumi i shpallur de facto nga kjo parti, sjell një element të ri debati në jetën politike, duke u përpjekur të jetë një zë ndryshe që përpiqet të interferojë në duetin Rama-Berisha.
Në këtë klimë të hershme elektorale ajo që humb është paqja sociale në vend. Kakofonia e zërave politikë po shpaloset në formacion fushate shumë kohë para se shqiptarët e prisnin një gjë të tillë. Mesa duket zgjedhjet e ardhshme janë tepër të rëndësishme për të gjitha palët, nga pozicioni respektiv, për risqet dhe përfitimet, e kjo i bën t’i hyjnë një para-fushate, e cila s’dihet sesa e këshillueshme do të jetë për “ekonominë” e energjive të secilit prej kalorësve. Sepse mund të ndodhë fare mirë që kur fushata të vijë vërtet, ndonjëri prej atyre që sot luan fort dhe në sulm, të mos ketë diçka të re për t’u thënë zgjedhësve, të cilët siç dihet rëndom, në mjaft raste vendosin për kë do të votojnë vetëm javën apo ditën e fundit të fushatës.