E Diel, 1 Nëntor 2026

Tjetërsimi i fshatrave turistikë në pallate, pronat nuk do hipotekohen

 

Ministria e Turizmit dhe maxhoranca ndalojnë me ligj ndryshimin e destinacionit të aktivitetit turistik

TIRANË- Të gjitha ndërtesat apo pronat në zonat me përparësi turistike që nuk i shërbejnë nxitjes dhe zhvillimit të turizmit nuk do të hipotekohen. Komisioni parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese ka marrë dje në shqyrtim projektligjin "Për disa shtesa në ligjin për turizmin", më anë të të cilit ministria e linjës kërkon të ndalojë tjetërsimin e aktivitetit turistik për të gjitha ato subjekte të liçensuara për këtë qëllim. Me qëllim parandalimin e krijimit të situatave si ajo në zonën e Golemit, Ministria e Turizmit propozon një sërë masash sipas të cilave nuk do të lejohet që të gjitha sipërmarrjet turistike të mund të ndryshojnë destinacionin apo aktivitetin e tyre. Për këtë qëllim në këtë projektligj është propozuar shtimi në ligjin ekzistues i disa dispozitave të cilat sanksionojnë ndalimin e shitjes së njësive të veçanta të sipërmarrjeve turistike si fshatra turistike, komplekse turistike, hoteleve etje. Pra thënë më qartë një sipërmarrës nuk do të mund të shesë një pjesë të pronës së vet në rast se ajo do ti shërbejë një aktiviteti tjetër, që s'ka lidhje me turizmin. Gjithashtu në draftin e paraqitur është përcaktuar që në rastet e shitjes së pronës, blerësi i saj detyrohet që të ruaj destinacionin turistik të saj, duke plotësuar kërkesat njësoj si sipërmarrësi i parë. Në rast të kundërt zyra e regjistrimit të pasurive nuk do të bëjë regjistrimin e kalimit të pronës. Por pikërisht këto sanksione që parashikon projektligji janë bërë shkak për një debat të gjatë dje në komisionin e veprimtarisë prodhuese midis përfaqësuesve të opozitës nga njeri krah dhe Ministrisë së Turizmit dhe deputetëve të mazhorancës në krahun tjetër. Ka qenë kryetari i këtij komisioni, socialisti Ylli Bufi ai që ka kundërshtuar këtë detyrim që kërkon të vendos ministria me ligj. Sipas tij, shteti dhe në rastin konkret Ministria e Turizmit nuk mund të detyrojë një individ të caktuar që të mund të tjetërsoj aktivitetin e tij fitimprurës. "Shteti nuk ka pse të ndalojë regjistrimin e pasurisë në hipoteka, pasi shteti mund ta detyrojë subjektin privat duke mos i rinovuar liçencën. Por se çfarë do të bëj unë me pronësinë e pronës time nuk më detyron dot ti si shtet. Kjo edhe në kohën e Enverit nuk bëhej kështu", - u shpreh Bufi. Sipas tij, shteti nuk mund të ndalojë regjistrimin e pronës në hipotekë, por mund të ndërhyjë vetëm me anë të liçencës. "Këtu ka dy gjera; aktiviteti turistik dhe prona. Ju mund të rregulloni aktivitetin turistik, por jo pronën, se nuk i përcaktoni ju rregullat për të", - theksoi Bufi. Por ligjin nga mazhoranca e ka mbrojtur deputeti Ilir Bano, i cili e ka konsideruar të drejtë ndërhyrjen që ministria kërkon të bëj me anë të këtij sanksionimi në ligjin bazë. "Ai që merr lejen për të ndërtuar një hotel, një pishinë apo një restorant, nuk ka të drejtë ai ta marrë atë dhe ta bëj një punishte, apo një rrobaqepsi. Këtë kërkon të ndaloj ky ligj", - u shpreh Bano. Ndërkohë përfaqësuesja e ministrisë e ftuar për të mbrojtur draftin në komision ka deklaruar se kjo bëhet më shumë edhe për tjetërsimin e destinacionit të lejeve për ndërtimin e hoteleve apo ambienteve turistike në pallate banimi. "Unë kam pronën time dhe mund ta bëj edhe shtëpi banimi dhe s'kam nevojë të marr leje për tu liçencuar. Unë mund të marr një fshat turistik dhe pas një farë kohë s'dua të bëj më turizëm dhe mund ta bëj pronën çdo gjë që më intereson mua", - u shpreh Bufi duke replikuar me përfaqësuesit e shumicës. Ndërkohë që një risi tjetër që sjell ky ligj ka të bëj edhe me faktin se e drejta për të dhënë liçensa për aktivitetet turistike i jepet vetëm ministrit të Turizmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›