E Diel, 1 Nëntor 2026

Gerti Bogdani: Bashkëpunim pa ndasi në këtë përvjetor jubilar

23-04-2012 / Gazeta 55

100 vjetori i Pavarësisë, FRPD aktivitete në Prishtinë

Nën organizimin e Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe me iniciativë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në Prishtinë u mbajt takimi i forumeve rinore të partive politike shqiptare nga të gjitha trevat etnike shqiptare. 
Në takim morën pjesë 12 forume rinore, ku u biseduan dhe u listuan një numër i aktiviteteve që të rinjtë e partive politike shqiptare do të organizojnë për të shënuar 100 - vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në hapje të këtij takimi, kryetari i FR LDK-së Xhafer Tahiri lexoi një deklaratë në emër të FR LDK -së si mikpritës i takimit. Ai tha se duke organizuar takime të rregullta mes të rinjve të partive politike, mes dy vendeve do ketë më tepër integrim ndërshqiptarë. “Duke u takuar në mënyrë të rregullt, ne të rinjtë e partive politike pa dallim, do të thellojmë integrimet tona brenda shqiptare dhe integrimet evropiane të shqiptarëve. Sot, shumica e të rinjve shqiptar janë të lirë. Liria, është e arritura më e madhe e jona në këto 100 vite. Pavarësia e Kosovës, padyshim paraqet arritjen e një qëllimi të lartë për të cilën u sakrifikuan breza të tërë në Kosovë, që sublimohen në figurat e ndritura të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Sot, sfida jonë është të bashkëmoshatarët tanë në Luginë të Preshevës të vazhdojnë të qëndrojnë në tokat e tyre të lirë, dhe të ndihmojmë të rinjtë në Malin e Zi që të ruajnë dhe kultivojnë identitetin e tyre kombëtar” - u shpreh ai. “Lidhja e Forumeve Rinore Mbarëshqiptare” është emri dhe ombrella me të cilën do të shënohen aktivitetet e forumeve rinore shqiptare për shënimin e 100 - vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i FRPD, Gerti Bogdani, tha se “ky vit shënon ngjarjen më të rëndësishme në historinë e Ballkanit, 100 vjetorin e Pavarësisë së shqiptarëve”. “Ndaj, është shumë e rëndësishme që sot jemi mbledhur të gjithë së bashku për të bashkëpunuar, pa dallim dhe ndasi, dhe nuk ka se si të jetë ndryshe, sepse ngjyrat e flamurit kombëtar janë pikë bashkimi”- u shpreh kreu i FRPD-së, njëherazi deputet i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.
Të rinjtë e partive politike shqiptare nga të gjitha trojet etnike u pritën nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Po ashtu të rinjtë e forumeve rinore u priten nga ministri i Kulturës, Memli Krasniqi.
Të rinjtë e partive politike shqiptare nga të gjitha trojet etnike bënë vizitë dhe homazhe te varri i presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe u pritën nga familja Rugova.
Takimi i të rinjve të partive politike shqiptare nga të gjitha trojet etnike përfundoi me vizitë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Prekaz, te varri i  Komandantit Legjendar të UÇK-së Adem Jashari. Ndërkohë që takimi i radhë, në këtë përvjetor jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë, do të mbahet në Ulqin.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›