E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria propozon kufizimin e mandatit te kreut të SHISH-it

TIRANE- Qeveria propozon kufizimin e mandatit të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit. Përmes një amendimi të ligjit për këtë institucion, ekzekutivi ka parashikuar që mandati i drejtorit të SHISH-it të mos jetë më i pakufizuar, por të zgjasë vetëm 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e qeverisë se “ligji përcakton afatin 5-vjeçar të mandatit të drejtorit. Nuk ekziston në asnjë vend të lirë drejtor apo zv/drejtor pa mandat të caktuar, për më tepër kur në disa aspekte ligji e barazon me ministrin”, - u shpreh ai. Përcaktimi me ligj i një mandati 5-vjeçar për drejtorin e SHISH-it vendos në pikëpyetje vazhdimin e detyrës së kreut aktual të këtij institucioni, Bahri Shaqiri, i cili në 7 shkurt mbush plot 5 vite që nga emërimi i tij në këtë detyrë, me firmë të ish-presidentit Alfred Moisiu. Një tjetër ndryshim i propozuar në ligjin për SHISH-in është edhe ai që detyron kryeministrin që të konsultohet me komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare, para se t’i propozojë Presidentit të Republikës kandidaturën për kryetar të Shërbimit Inteligjent Shqiptar. Një ndryshim tjetër i propozuar është përcaktimi në mënyrë të qartë në ligj se SHISH nuk mund të ushtrojë asnjë veprim në favor të një partie politike. Pra ligji dhe Kushtetuta janë, por ndërkohë përcaktohet edhe një ligj, nuk mund të ushtrojë veprimtarinë në favor të një partie politike.(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›