E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria "Berisha", 20 mln euro pasuri

TIRANË- Qeveria do t'i propozojë Kuvendit brenda muajve të parë të vitit 2008 një ligj të ri, qëllimi i të cilit do të jetë zbardhja e financimit të partive politike në vend. Kjo është bërë e ditur dje nga kryeministri Sali Berisha, gjatë interpelancës mbi korrupsionin, të kërkuar nga deputeti i PS-së, Musa Ulqini. Hartimi dhe miratimi i këtij ligji, i cili do të zbardhë të ardhurat e partive politike, sipas Berishës, është dhe një nga rekomandimet e Raport Progresit të Këshillit të Evropës. "Brenda 2 muajve të vitit 2008 do të vijë në Kuvend ligji i dytë, i cili do të zbardhë me çdo qindarkë të ardhurat e partive politike, sepse kjo është kërkesa e dytë e raportit",- është shprehur Kryeministri. Ndërkohë, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit Ulqini, Kryeministri pranoi se me korrupsionin kemi probleme serioze, por theksoi se, ka një vullnet të hekurt të qeverisë për t'i zgjidhur këto probleme. Në këtë kuadër, ai ftoi deputetët e opozitës të votojnë në Kuvend ligjin për kufizimin e imunitetit të deputetëve për rastet e korrupsionit, duke treguar në këtë mënyrë, gatishmërinë për të luftuar korrupsionin. Por, deputeti Musa Ulqini e konsideroi të dështuar luftën e qeverisë kundër korrupsionit dhe paraqiti një sërë raportesh të institucioneve ndërkombëtare, në të cilët paraqitej kritike gjendja e vendit tonë përsa i përket korrupsionit dhe sidomos përsa i përket perceptimit të qytetarëve lidhur me angazhimin e qeverisë në luftën ndaj këtij fenomeni. "78% e shqiptarëve nuk besojnë më tek angazhimi juaj në luftën kundër korrupsionit, sepse qeveria juaj në dietë dhe lufta kundër konfliktit të interesit shpejt rezultoi një demagogji bajate. Pasuritë e ministrave tuaj, sipas të dhënave të publikuara në ILDKP janë mbi 20 milionë euro. Vetëm pasuritë e vajzës tuaj, zoti Kryeministër, janë të tilla që e kanë të vështirë t'i mirëkuptojnë edhe militantët më të flaktë të Partisë Demokratike",- tha Ulqini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›