Pensionet, Berisha mohon programin e qeverisë
Berisha deklaroi se në Kuvend do të vijë një skemë e re për pensionet
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha është përballur dje me akuzat e Partisë Socialiste për mos mbajtje të premtimeve elektorale lidhur me pensionet. Këto janë bërë nga deputeti Erion Braçe, sipas të cilit, kryeministri Berisha nuk ka mbajtur disa premtime elektorale që lidhen me pensionet, si dyfishimi i tyre; barazimi i pensioneve të fshatit me të qytetit; apo dhe zhdukjen e diskriminimit përsa i përket pensioneve, mes atyre para vitit 1993 dhe atyre pas këtij viti, që sipas Braçes, e ka vendosur vetë Berisha kur ishte në pushtet në këtë periudhë. Përsa i përket premtimit për dyfishimin e pensioneve, Braçe tha se, ai është i parashikuar edhe në programin, që qeveria e djathtë ka paraqitur në Parlament në vitin 2005. "Dyfishimi mbetet premtim i parealizuar dhe do shënohet si një nga premtimet e pambajtura të qeverisë suaj. Ky është problem shumë i madh në raportin tuaj me qytetarët. Ajo që keni premtuar ju për fshatin, është barazimi midis pensioneve të fshatit dhe qytetit. Keni premtuar edhe zhdukjen e diskriminimeve, që e vendosët ju, të pensioneve para '93 me ato pas '93, dhe s'keni ndërmarrë asnjë politikë në vijim për t'i mbajtur këto dy premtime",- u shpreh Braçe, duke argumentuar më tej se, edhe me atë çfarë është parashikuar në buxhetin e vitit 2008 për pensionet, qeveria është shumë larg premtimit të saj për të dyfishuar pensionet e fshatit dhe qytetit. Por, një pretendim i tillë i deputetit të PS-së është hedhur poshtë nga kryeministri Sali Berisha, sipas të cilit, ai asnjëherë nuk ka premtuar dyfishim të pensioneve, por vetëm dyfishimin e atyre minimaleve të fshatit, gjë që në fakt nuk është e vërtetë pasi në programin e qeverisë thuhet qartë se për periudhën katërvjeçare, pensionet do të dyfishohen.
"Kam deklaruar dyfishimin e pensioneve minimale të fshatit",- është shprehur Berisha, ku sërish është kundërshtuar nga Braçe, i cili ka këmbëngulur se kjo pikë është e programit të qeverisë. Kryeministri ka folur dje edhe për një skemë të re të pensioneve, pasi ka pohuar që, nga pikëpamja ligjore, situata aktuale me pensionet paraqet probleme serioze. "S'kemi thënë që gjatë dy viteve kemi bërë reformën e pensioneve, por kemi mbajtur premtimin",- tha Berisha. Skema e re e pensioneve, sipas Kryeministrit, ka rreth tetë muaj që diskutohet me Bankën Botërore dhe shumë shpejt ajo do të diskutohet edhe me opozitën, para se të miratohet përfundimisht në qeveri.