E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Një mizë e zezë në supë të ftohtë"

Kryeministri u shfaq në ekrane sërish krenar dhe regëtiu si një konkurrent i SOROS-it këtë herë: lider shpirtmadh e bamirës. I mallëngjyer e i ndjeshëm si gjithmonë; u çel në ekrane me një fytyrë revolucionare muskujsh e nervash të pafajshme, për të hedhur në tregun e pamposhtur të pëshpërimave kryelajmin lajmzbehës dhe sfidues, me një eufori narkomani: Qeveria do të qerasë pensionistët për vitin e ri, me 50 dollarë!
Frazat e tij mund të mos merreshin si sarkazëm! Përkundrazi! Mund të pranoheshin si shprehje të një situate të afruar dashamirësisht nga kryepushtetari ynë! Sepse, të qenit Kryeministër lumëmadh, siç është ai, i një populli të mjerë, nuk i privon kurrsesi atij të drejtën për të dhuruar para të vështira moshës së vështirë. Madje ky do të ishte një akt sublim që do të meritonte sublimitet në analizë, sikur të jetonim si qytetarë të civilizuar, në një realitet me normalitet dhe emancipim. Por ne shqiptarët jetojmë egër nën një paradoks të papërsëritshëm shtetëror!
Jetojmë fatalisht paradoksin në të cilin edhe dhurata dashamirëse e Sali Berishës ngjan me një mizë të zezë, në një supë të ftohtë. Tej euforisë delirante me të cilën Kryeministri shpalli lajmin në publik, a thua paratë që do dhurohen i nxori nga kuleta e tij, nga kuleta e së bijës, nga kuleta e Rulit apo nga kuleta firmato e Bashës, Kryeministri gati në shpërthim prej mbidozës së krenarisë, dukej i kënaqur shumë për bamirësinë e paparë dhe për të gjitha arritjet. U shfaq paturpësisht krenar përpara një populli të çoroditur nga makthet e frikshme të përditshmërisë. Ky njeri arkaik, i cili guxon të jetë krenar e t'i buzëqeshë psikologjikisht një populli të rënë në një krizë të ashpër të vetëdijes dhe në një pesimizëm të tmerrshëm; kjo masë gabim energjie njerëzore, e zgjedhur fatalisht për të drejtuar, është pra sot e lirë të gjenerojë hipokrizi mbi vuajtjet totale, që janë më shumë se kaq. Ai kalëron në një arenë ku shoqëria është katandisur në një turmë veshëvarurish dhe kokulurish, që i ka humbur instinktet e vetëmbrojtjes; ai është Kryeministër i një vendi që ngjan me një kosh të madh plehrash, të shpërndara simetrikisht nëpër qytete dhe në të gjitha rrugët nacionale. Ai është njëshi i murrmë i një shoqërie psikologjisht të paralizuar, ku njerëzit vrasin veten dhe të afërmit; ai është dhurata e hidhur e disfatës; ai është misionari i varfërisë; ai është shef i një vendi që çmendurisht gjëmon pa pushim, përditë, nga zhurma e gjeneratorëve të skëterrës, por edhe nga klithma e ndërgjegjeve të plagosura prej zhgënjimit më të kobshëm, është udhëheqësi i një kombi që rrëqethet përnatë nga mungesa e normalitetit. Megjithatë, ai është krenar! Ruajna Zot!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›