Qeveria rikonfirmon dëmshpërblim të plotë për përmbytjet
14/12/2010 Kryeministri Berisha u garantoi dje qytetarëve të zonave të përmbytura se, sapo të bëhet e mundur përllogaritja e dëmeve, ata do të zhdëmtohen plotësisht në përputhje me ligjin e digave. “Dua ti garantoj qytetarët e zonave të përmbytura se, sapo të bëhet e mundur përllogaritja e dëmeve, ata do të zhdëmtohen plotësisht në përputhje me ligjin e digave. Çdo vend i lirë ka një ligj për digat dhe ligji është universal. Ky ligj detyron autoritetet të zhdëmtojnë gjithçka që lidhet me praninë e digave.” Premtimin Berisha e bëri paraditen e djeshme nga Shkodra, ku u njoh më nga afër me situatën e krijuar pas përmbytjes në këtë qark si dhe me planin e shpërndarjes së ndihmave për banorët në vështirësi. Duke iu referuar përllogaritjes dhe zhdëmtimit të dëmeve, kryeministri theksoi se edhe vitin e kaluar përllogaritja e dëmeve është bërë në bazë të ligjit të digave. Sa i përket mënyrës së procedimit për vlerësimin real të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet Berisha tha se kjo do të bëhet me një procedurë serioze dhe aty ku ka ende ujë nuk mund të bëhet asnjë vlerësim. “Pas largimit të ujit ne do të qëndrojmë plotësisht mbi bazën e këtij ligji, i cili i detyron autoritetet dhe përcakton qartë rrugën që ndiqet për zhdëmtimin”, - tha kreu i qeverisë. Pas pakënaqësive të pak ditë më parë të bëra publike nga arsimtarët e vendit, Berisha garantoi nëpunësit se “asnjë punonjësi të këtij vendi nuk do ti mbahet asnjë qindarkë e vetme, as në rroga e as në pensione, por ne vlerësojmë plotësisht atë çfarë mund të japin me dëshirë të tyre”.