Qeveria miraton marrëveshjen e huasë me BERZH për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale
Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale.
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë realizimin e një projekti të rëndësishëm “rrugët dytësore dhe lokale”, me një vlerë prej 300-400 milion dollarë. Objektivi i këtij projekti është të përmirësojë përqasjen ndaj shërbimeve kryesore dhe tregjeve nëpërmjet lehtësimit të qarkullimit gjatë gjithë vitit për qytetarët, duke përfshirë përmirësimin e segmenteve prioritare të rrjetit rrugor rajonal, përmirësimin e segmenteve të prioritare të rrjetit lokal dhe forcimin e menaxhimit të rrjetit të rrugëve rajonale dhe lokale.
Projekti do të bashkëfinancohet respektivisht me 50, 000, 000 Euro nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH); 50,000,000 Euro nga Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe 33,000,000 Euro nga fondet e Instrumentit të Para Aderimit IPA 2010/2011. Gjithashtu, një grant prej 40,000,000 Euro do të sigurohet nga Fondi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (FIBP). Në këtë kuadër, financime paralele janë siguruar nga një numër institucionesh të tjera – Banka Botërore, OFID dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës.
24/02/2010