Vendimi: Deklaratat tatimore, të gjitha online
Deklaratat tatimore tashmë do të pranohen vetëm online, sipas një vendimi që mori dje qeveria për këtë çështje. Ky vendim mundëson realizimin e deklarimit të detyrueshëm në organet tatimore vetëm nëpërmjet formës elektronike, por edhe të të dhënave të dokumentit, listë-pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe i të dhënave për ndryshimin e numrit të punonjësve, nga ana e të gjithë tatimpaguesve. “Realizimi i deklarimit elektronik të tyre është një masë e rëndësishme që do të ndikojë në rritjen e efektivitetit të administratës për minimizimin e evazionit në tregun e punës, saktësisë dhe lehtësimit të shkëmbimit midis institucioneve të të dhënave për kontributet e paguara nga subjektet dhe për punonjësit e tyre, me qëllim evidentimin e saktë dhe krijimin e historikut të kontributeve për çdo kontributpagues, mbi bazën e të cilit ata do të marrin përfitimet përkatëse nga skema e sigurimeve shoqërore e shëndetësore”, - tha kryeministri Berisha. Subjektet që janë të detyruara të deklarojnë dhe të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duhet të dorëzojnë në organet tatimore brenda afateve ligjore, edhe në formë shkresore, listë-pagesat dhe të dhënat për ndryshimin e numrit të punonjësve për 6 muajt e parë të vitit 2012. Për këto 6 muaj, për efekt të zbatimit të afateve të deklarimit do të vlerësohet dokumenti i dorëzuar apo i deklaruar më i pari në organin tatimor. Për identifikimin e punonjësve që deklarohen në listë-pagesë të përdoret numri personal sipas ligjit Nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin e shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar.
.