E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rrit koston mesatare të ndërtimit për banesat sociale



Emanuela Sako

Qeveria përcaktoi dje koston mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave për programet sociale. Sipas këtij vendimi, kostoja mesatare ka pësuar rritje duke shkuar në masën 33. 464 (tridhjetë e tre mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë/m2, sipërfaqe shfrytëzimi, kurse sipërfaqja e ndërtimit në kryeqytet do të jetë në vlerën 27.439 lekë për metër katror. Ndërsa një vit më parë, kostoja mesatare e ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë republike, për vitin 2007, ka qenë 29 874 (njëzet e nëntë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë/m2, për sipërfaqe shfrytëzimi. E përllogaritur ndryshe me çmimet që e tregut që zbatohet i bie rreth 250 euro për m2. Kostoja mesatare e ndërtimit dhe vlera mesatare e apartamenteve, në tregun e lirë të banesave, është e vendosur sipas qyteteve të ndryshme të vendit. Kështu, secili nga qytetet e vendit e ka të përcaktuar më vete koston mesatare. Po kështu, për qytetet që nuk është nxjerrë kostoja mesatare e ndërtimit, do të zbatohet kostoja e qytetit më të afërt. Vendimi i qeverisë vjen në ndihmë të të gjithë atyre qytetarëve që nuk kanë mundësi të blejnë një shtëpi apo të marrin me qira me çmimin real të tregut.
Vlera
Në rastet kur vlera e banesave në tregun e lirë është më e ulët se vlera e ndërtimit të banesave të reja, mbi bazën e vendimit të këshillit bashkiak, entet menaxhuese blejnë banesa nga tregu i lirë, për t’i dhënë më pas me kontratë qiraje sociale. Kushtet, normat dhe standardet, që duhet të plotësojnë banesat sociale me qira, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Qëllimi kryesor i këtij ligji është krijimi I mundësive për strehimin e të familjeve që janë në nevojë, si dhe vendosja dhe përcaktimi i disa rregullave dhe procedurave administrative për mënyrat e sigurimit, të shpërndarjes, të administrimit dhe të planifikimit të programeve sociale për strehimin. Familjet, që klasifikohen për t’u trajtuar me programe sociale të strehimit, miratohen me vendim të këshillit bashkiak, sipas disa kritereve. Të privilegjuar janë ata që nuk kanë në pronësi një banesë;
zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike, ku bëjnë pjesë këto familje; që kanë mbetur të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore, apo ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme.
Klasifikimi i programeve sociale
Programet sociale të strehimit klasifikohen në disa kategori.
Kështu, në programe të banesave sociale me qira, përfshihen:
banesat që ndërtohen apo blihen nga tregu i lirë nga bashkitë ose organizatat jofitimprurëse, të cilat jepen me kontratë qiraje sociale; banesat ekzistuese, në pronësi të personave fizikë ose juridikë, të cilat janë klasifikuar nga organet e qeverisjes vendore apo nga organizatat jofitimprurëse si banesa sociale, që mund të jepen me qira për familjet që përfitojnë bonus strehimi.
Po kështu, në këto kategori klasifikohen edhe objektet e dala jashtë funksionit, si rezultat i mbylljes së një veprimtarie, të cilat kanë kaluar në pronësi të bashkive dhe janë miratuar për t’u kaluar në fond banesash sociale me qira, në përputhje me planin rregullues urbanistik. Pjesë e kësaj veprimtarie janë edhe programe të banesave me kosto të ulët dhe programe të pajisjes së truallit me infrastrukturë.

21 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›