Mungesa e barnave në spitale, mjekët trajtohen me rezerva
Spitalet vazhdojnë të kenë kizë barnash dhe pajisjesh. Mjekët janë të detyruar të përdorin fondin rezervë për medikamente. Ata udhëzojnë pacientët që të përdorin barna të përafërta me ato që do t’iu duheshin për kurim, por në mungesë të tyre ato zëvendësohen me të tjera. Mungesa e medikamenteve vihet re kryesisht për ato medikamente që kanë një kosto të lartë. Kostoja e disa medikamenteve për të sëmurët rëndë apo që vuajnë nga sëmundje të rënda është tepër e lartë dhe për këtë arsye mungojnë edhe në spitale, pasi fondet janë të pamjaftueshme për sigurimin e medikamenteve bazë. Kështu, pavijonet më të prekur nga mungesa e medikamenteve të shtrenjta janë Onkologjiku, sëmundjet e gjakut, etj. Shërbimi Onkologjik në QSUT gjatë këtij viti ka pasur mungesa të thella në medikamente dhe kryesisht në ato që kanë një kosto të lartë, të cilat pacientët e kanë të vështirë t’i blejnë. Kjo u bë e ditur nga vetë autoritet përkatëse, në bazë të një studimi të bërë kohët e fundit mbi koston e pacientit, të trajtuar gjatë vitit 2007 në lidhje me trajtimin me citostatikë dhe barna të tjera për kurimin e tumoreve. Kostoja reale e nevojave për barna të tilla shkon deri në 8.5 milionë euro, që është një shumë e konsiderueshme. Shefi i Shërbimit shprehet se buxheti nga viti në vit është i pamjaftueshëm. Buxheti është i pamjaftueshëm për të plotësuar të gjitha kërkesat dhe mbulimin për çdo problematikë që të sëmurët onkologjikë paraqesin. Të sëmurët me tumor prej disa ditësh nuk kanë mundur të marrin kurimin e duhur për shkak të mungesës së aparaturës së Kobaltit. Kjo aparaturë ndodhet në Shërbimin Onkologjik të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, por prej disa ditësh ka dalë jashtë funksionit.
21 Gusht 2008