Çarja migjeniane në letërsinë ekzistenciale
Me rastin e 70-vjetorit të vdekjes
Prof. Alfred Uçi
Në një vështrim të përciptë mund të duket se Migjeni, poet i studiuar gjerësisht dhe i nderuar, më së voni edhe me titullin e lartë “Nder i kombit”, e ka zënë vendin e plotë, të saktë e të pandryshuar në panteonin e letërsisë sonë kombëtare dhe s’mbetet gjë për t’i shtuar. Por s’është kështu; në kuadër të rivlerësimit që po i bëhet historisë së letërsisë sonë, ne shohim se disa autorë po sjellin kontribute, që ndriçojnë aspekte të reja të krijimtarisë së Migjenit, të cilat nuk kanë qenë njohur në studimet e mëparshme. Një aspekt që ende meriton të njihet më thellë është edhe raporti i botëkuptimit të Migjenit ndaj filozofisë dhe estetikës të A. Shopenhauerit (1788-1860), S. Kierkegardit (1813-1855) dhe F. Niçes (1844-1900), të cilët kanë qenë ndër mendimtarët e parë që ndjenë krizën në fushën e filozofisë e të estetikës klasike në shek. XIX dhe u angazhuan në kërkim të ideve të reja. Analizën po e nisim me Shopenhauerin, duke evidentuar kryesisht vetëm ato aspekte të filozofisë së tij, që janë të krahasueshëm brenda temës sonë.
***
Vepra kryesore “Bota si vullnet e përfytyrim” i A. Shopenhauerit, botuar më 1819-n, nuk pati mirënjohje për një kohë të gjatë dhe vetëm nga mesi i shek. XIX u rrit interesimi sidomos për veprat e tij të mëvonshme, që konkretizonin e shpjegonin idetë e kryeveprës së tij. Në këtë kohë zu të kuptohej përpjekja e tij për të kundërshtuar trajtimin tradicional spekulativ, abstrakt të problemeve të filozofisë dhe u vu re prirja e tij për t’ia nënshtruar filozofinë problemeve të jetës së rëndomtë praktike të njeriut; që këtu hyri në qarkullim ideja e një filozofie jete. Ai kritikoi “idenë absolute” inpersonale të racionalizmit të Hegelit, duke vendosur në themel të jetës vullnetin, gjë që nuk u shkëput dot nga idealizmi,(sajoi një bashkim të platonizmit e kantizmit me idealizmin subjektiv), sepse vullnetin e barazonte me një faktor biologjik, me instinktet; sipas tij, vullneti aktivizon psikologjinë, ndjenjat e imagjinatën, domethënë i dhuron njeriut liri krijuese të pakushtëzuar.
Kjo paradigmë kishte rëndësi të madhe, e zbatuar në fushën e estetikës dhe arteve, sepse, ndryshe nga Hegeli, që artin e quante manifestim shqisor, ndjesor të shpirtit, frymës, për Shopenhauerin arti e çliron njeriun nga vargonjtë e iluzioneve t] ndjeshmërisë shqisore dhe nga fondi i ngushtë i sendeve të natyrës. Vullneti është, sipas tij, gjenerator biologjik, që nxit dëshirat e njeriut dhe e shtyn drejt imagjinatës, por agresivitetit, luftës për ta afirmuar veten, egon përballë realitetit kaotik.
Përveç voluntarizmit, shtylla tjetër ku mbështetej Shopenhauri ishte pesimizmi, i ngritur në rangun e një ontologjie filozofike, që shprehte zhgënjimin e thellë nga parullat iluzore të lirisë, barazisë, të ushqyera sidomos përmes letërsisë dhe estetikës të romantizmit. Vullneti e mbërthen subjektin në fenomenet, në pamjet e jashtme të botës, e cila mbetet misterioze dhe burim fatkeqësish e vuajtjesh për njeriun.
Shopenhaueri anonte nga një lloj hedonizmi paradoksal pesimist, që ia nënshtronte filozofisë së jetës. Kënaqësia, sipas tij, s’është cilësi pozitive, por vetëm mungesë dhimbjeje. Vuajtjen, filozofi gjerman, e cilësonte si një kategori ose forcë sa ontologjike aq edhe ekzistenciale; prej pushtetit të vuajtjeve njeriun mund ta shpëtojë vetëm arti, i cili e kthen ndërgjegjen drejt vetvetes dhe e aftëson subjektin të zbërthejë misteret, të fshehtat e qenies së vet. Njeriu është qenie praktike dhe nuk arrin kurrë të çlirohet e të shpëtojë nga robëria e dëshirave të vullnetit, kurse artisti gjeni është në gjendje t’i dorëzohet atarakisë, domethënë të përftojë në vetvete atë qetësi, që Epikuri ua atribuonte perëndive. Vetëm gjenia, sipas tij, arrin të objektivizojë vullnetin dhe ta zotërojë për të ndërtuar piramidën e arteve, në krye të së cilës Shopenhaueri vendoste poezinë, kurse edhe më lart - muzikën.
Poezia dhe muzika shprehin atë urtësi (filozofi) që transmeton arti dhe që e pasuron botën e brendshme shpirtërore të njeriut. Me fuqinë e tij tërheqëse impresionuese, arti pushton njeriun dhe e zhyt në meditim e soditje, nga përftohen ndjenjat estetike të bukurisë, që mbytin dëshirat utilitare të vullnetit, të pangopësisë dhe egoizmit jetësor; prandaj, sipas Shopenhauerit, vetëm ndjenjat estetike të bukurisë mund të neutralizojnë veset instinktive jetësore. Në frymën e estetikës klasike, Shopenhaueri në qendër të soditjes artistike vendoste njeriun, domethënë mbronte parimin e homocentrizmit artistik. Ai thoshte se asnjë objekt nuk të shtyn më shpejt e më fort drejt soditjes të kulluar estetike se sa figura njerëzore, gjendjet më të larmishme shpirtërore të të cilit i shpreh e i paraqit arti.
Në disa drejtime doktrina estetike e Shopenhauerit njihet si pararendësja më e parë e mendimit estetik modern. Kjo duket sidomos në idenë e tij mbi rëndësinë e lidhjes së ngushtë estetike të filozofisë dhe artit. Vetë filozofinë, metafizikën e tij, Shopenhaueri e quante “vepër artistike”, kurse artin e konsideronte shprehjen më të lartë të filozofisë, të metafizikës. Idetë e tij nxitën depërtimin në art të frymës së pesimizmit e të dekadentizmit, sepse koncepti voluntarist soditjen estetike e zëvendësonte konceptin mbi realitetin e arsyeshëm, racional, që mbizotëronte deri atëherë në estetikën klasike. Këtë frymë të estetikës së tij e ndjenë, sidomos duke lexuar veprat e tij filozofike të letrarizuara nga fundi i shek. XIX, Gotje e Floberi, të cilët pëlqenin parimin shopenhauerian të estetizmit. Disa studiues idetë mbi kohën të Shopenhauerit i kanë vlerësuar edhe si burim ushqyes të orientimit estetik të impresionizmit. Vëllezërit Gonkurë, që aq shumë bënë në këtë kohë për të mbështetur drejtime të reja të letërsisë dhe arteve, të influencuar nga filozofia dhe estetika e Shopenhauerit, i vlerësuan si sintagma krijuese universale në art, duke venë në themel të krijimtarisë soditjen e gjallë, shikimin e drejtpërdrejt me anë të syrit për të paraqitur dukuritë e natyrës ashtu siç janë, siç shikohen, pa idealizime, në gjendje amullie, pa tension, në zvarritjen e monotoninë e çasteve të rëndomsisë. Interpretimet e ndryshme e të kundërta të mendimit filozofik e estetik të Shopenhauerit buronin nga karakteri i tij kontradiktor, sidomos luhatjet midis idealizmit subjektiv dhe materializmit vulgar.
***
Siç e ka pohuar vetë, Migjeni e njihte karakterin kontradiktor të ideve të Shopenhauerit dhe ka ditur t’i ndajë ato anë që i kanë pëlqyer nga ato që nuk e kënaqnin. Ja ç‘ka shkruar Migjeni në letrën “Të fala nga fshati”, që i dërgonte më 12.01.1936 mikut të tij T. Gjylit për qëndrimin e tij ndaj filozofisë dhe estetikës së Shopenhauerit: “...E mendimet e mia, atëherë nuk janë mendimet e një njeriu që asht i kënaqun me jetën, por janë mendimet e një njeriu që vuen...Vuej me plakun që dridhet nga friga e vdekjes; vuej me bujkun që lufton me tokën, vuej me puntorin, të cilin hekuri e ndrydh, vuej me të sëmundët e krejt botës...Vuej me njeriun! E besoj se nuk asht kjo një metamorfozë egoizme, siç pretendojnë disa, por asht diçka tjetër që shpallet te njerzit, të cilët rastësisht, për një kohë, gjenden jashtë materializmit t’ashpër. T’idhta këto mendime më terrin ndër ndjenja dhe më pezmatojnë. Do të thuesh, T.,se jam pesimist i pashërueshëm, se më ka tërheqë Shopenhaueri me stilin e vet të bukur?...Jo! Admiroj stilin e Shopenhauerit, por ndjenjat dhe mendimet e tij, për veten teme, janë vetëm fusha ku lexuesi mundet me shijue gjithë atë bukuri stili, pra nuk jam shopenhauerist-pesimist nuk jam, se besoj në një fuqi të njeriut, besoj në mbinjeriun!”.
Mendimi kryesor që spikat në këto shënime ka të bëjë me refuzimin e sinqertë të pesimizmit të Shopenhauerit. Ka pasur e ka kritikë që e ndryshojnë kuptimin e pohimit të Migjenit, duke e ndarë letrën nga disa vjersha, sidomos të viteve të fundit, kur pat avancuar sëmundja vdekjeprurëse, duke i imponuar pesimizëm; por mendoj se në tërësi, pa përjashtuar edhe poezitë e fundit, pesimizmi nuk përbënte idealin e tij as social e të jetës, as letraro-artistik. Ne mendojmë se tjetër është pesimizmi, si cilësi personale e një autori, krijuesi dhe tjetër është qëndrimi estetik, artistik i një autori ndaj dukurive të shëmtuara të jetës. Këtë dallim nuk e bënte për veten e vet Shopenhaueri, që i jepte pesimizmit karakter ontologjik e universal, si cilësi të jetës e të botës në tërësi; madje, kanë deri diku të drejtë ata që e identifikojnë pesimizmin ekstrem personal, që Shopenhauerin e çoi deri në vdekje, me tendeciozitetin e veprës së tij filozofiko-artistike. Cilitdo njeriu human, aq më shumë artistit i vjen keq dhe vuan për dukuritë e shëmtuara, fatkeqësitë, mundimet, varfërinë e tragjizmin e jetës, por kjo s’do të ishte e drejtë që secilin prej tyre ta quanim pesimist. Artisti mund të fusë frymë pesimiste në veprat e tij edhe po të jetë optimist në jetë, por, nga ana tjetër, pesimizmi mund të mos jetë pasojë deformimesh thjesht psikike, subjektivizmi të cilitdo krijuesi. Ka të drejtë filozofi gjerman T. Adorno, kur diferencon deformimet psikike të artistit me burimin objektiv më të rëndësishëm të qëndrimit kritik të artit ndaj dukurive të shëmtuara, të liga ndaj fatkeqësive e tragjizmit: ”Çka do t’i mbetej artit, - pyet ai, - sikur të hiqte prej vetes kujtesën e dhimbjes së akumuluar?
Migjeni e thotë qartë në letrën e tij se ai vuan për gjithë mjerimet që mbështillnin jetën e atëhershme të njerëzimit, por nuk e pranon pesimizmin si të përftuar nën ndikimin e bukurisë së stilit të veprave të filozofit gjerman. Por për çka i pëlqente Migjenit e u pat pëlqyer edhe shumë simpatizantëve të mëvonshëm? Disa estetë konceptin e stilit e barazojnë vetëm me format artistike, me formalizmin dhe të tjerë – me veçoritë e karakterit ose të personalitetit të autorit. Migjenit nuk i pëlqente ky kuptim i stilit, sepse dihet se me ç‘intransigjencë ai ironizonte idenë e “artit për art”. Pastaj, as Shopenhaueri nuk e pëlqente interpretimin formalist të artit. Ky ka shkruar se, ndryshe nga Hegeli që, sipas tij, kinse “mbivlerësonte përmbajtjen në art dhe nënvlerësonte formën artistike”, vetë “mbronte idenë e unitetit harmonik të përmbajtjes e të formës në art”. Sigurisht, nuk e transmeton saktësisht ato që thoshte Hegeli për këtë problem. Ja formula që jep Hegeli, që vlen edhe për kohën tonë: ”Përmbajtja estetike nuk është gjë tjetër veçse kalimi i formës në përmbajtje, kurse forma artistike – kalim i përmbajtjes në formë”.
Por çfarë i pat pëlqyer Migjenit tek vepra e Shopenhauerit? Atij i pëlqente “stili i bukur” i autorit gjerman, të cilin Migjeni e kuptonte si thirrje të lidhjes së artit me gjithë aspektet e jetës, edhe të asaj më të rëndomtë, me bukurin] dhe shëmtimin, ndryshe nga imagjinata e skajshme e romantizmit; pastaj, duhet t’i ketë pëlqyer prirja e lidhjes së ngushtë e të ndërsjellë të filozofisë dhe artit, ndryshe nga ata që i përveçonin si dukuri të kundërta të letrave. Atij duhet t’i ketë pëlqyer edhe theksimi i përsosmërisë në art dhe i bukurisë magjike të poezisë e muzikës, që ndjeshmërinë e lartë estetike të këtyre arteve e kishte aq për zemër poeti ynë. Dhe sidomos Migjenit duhet t’i ketë pëlqyer trajtimi i tematikës ekzistenciale, domethënë e kuptimit të jetës njerëzore, e ekzistencës, që nga akti i lindjes së njeriut e deri në vdekje. Kjo tematikë ishte braktisur ose zbehur në traditat e sistemeve filozofike metafizike abstrakte, dhe të dogmatizmit teorik e artistik, kurse Migjeni në qendër të prozës e të poezisë së tij vendoste homocentrizmin, madje jo vetëm kaq, por quante interesante ato mendime që nga Shopenhauri u transferuan dhe u pasuruan tek Niçja. Migjeni e mbyllte letrën e tij me fjalët: Nuk jam shopenhauerist-pesimist nuk jam, se besoj në një fuqi të njeriut, besoj në mbinjeriun!”. Kjo formulë filozofike emblematike meriton të interpretohet. Migjeni ka një kuptim origjinal: ndryshe nga përfytyrimi i Krishtit-Perëndi, që nuk e pranonte Niçja, Migjeni i paraprin Mbinjeriut me figurën e Njeriut, me figurën: “Mbinjeriu–Njeri”, që, sipas tij, është figurë faustiane e krijimit dhe e përsosjes së pandërprerë, e tejkalimit të vetvetes, domethënë e Njeriut-Njeri. Idealin e tij Migjeni e ka shprehur në poezinë:
Të birtë e shekullit të ri
Na, të birt e shekullit të ri,
që plakun e lamë në “shejtnin” e tij
e çuem grushtin për me luftue
ndër lufta të reja
dhe me fitue...
Na, të birtë e shekullit të ri,
Vllazën të lindun e të rritun në zi,
Kur tingëlloi çast’i ynë i mbramë
Edhe fatlumë
Ditëm me thanë:
S’duem me humbë
Në lojë të përgjaktë të historisë njerëzore,
Jo!jo! s’i duem humbjet prore –
Duem ngadhnjim!
Ngadhnjim ndërgjegje dhe mendimi të lirë!
S’duem, për hir
të kalbësinave të vjetra që kërkojnë “shejtnim”të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,
kangën monotone, pa shpirt , të skllavnis –
të jem’ një thumb i ngulun ndër trutë e njerzis.
Na birt e shekullit të ri,
Me hovin tonë e të ndezun peshë,
Ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë
Dhe për fitore kem’ me ra fli.
21 Gusht 2008