Qeveria rrit pragun e garantimit të depozitave të qytetarëve deri në 25 mijë euro

Kryeministri Berisha njoftoi sot, se qeveria do të rrisë pragun e garantimit të depozitave për qytetarët deri në 25 mijë euro.
“Trendi pozitiv i rritjes së kursimeve në bankat e vendit, gjatë dy muajve të fundit, inkurajon qeverinë që, së bashku me bankat, të rrisë garancinë e plotë për kursimet deri në 25 mijë euro të qytetarëve. Me këtë projektligj qeveria shqiptare vendos një standard europian të garantimit të depozitave të qytetarëve,” u shpreh Kryeministri, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Me këtë projektligj, tha Kryeministri, qeveria merr përsipër të garantojë mbi 80 përqind të të gjitha depozitave bankare, së bashku me bankën.
“Agjencia e Garantimit të Depozitave do të ketë tashmë një fuqizim të ri të madh. Ky veprim, i propozuar nga Ministria e Financave, është shumë i arsyeshëm dhe i drejë dhe që lidhet direkt me rritjen progresive të nivelit të depozitave në bankat shqiptare.”
Kryeministri Berisha tha se ky vendim është, gjithashtu, i domosdoshëm për të garantuar kursimet që vijnë nga emigracioni shqiptar.
“Ky është vendim me impakt shumë pozitiv për të gjithë emigrantët, të cilët depozitojnë në bankat e Shqipërisë paratë e tyre, duke i pasur 100 përqind të sigurta në masën deri në 25 mijë euro. Edhe ndrojtjet që ata mund të kenë në vendet e tjera ku jetojnë, këtu do të kenë një strehë të sigurt, një vendosje të sigurt për paratë e tyre.”
Duke përgëzuar Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë për arritjen e këtij vendimi, Kryeministri Berisha e vlerësoi atë të përgjegjshëm dhe të rëndësishëm për kursimet e qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.
12/03/2009