E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rrit rrogat dhe pensionet

Për herë të dytë brenda javës, kryeministri Sali Berisha mblodhi Këshillin e Ministrave dhe kjo për të bërë realitet atë që premtoi pak ditë më pare, rritjen e rrogave dhe pensioneve në të gjithë Shqipërinë.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot vendimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve, i cili sipas tij, "është një vendim i pazakontë për shkak të krizës së thellë ekonomike, e cila ka pllakosur Europën dhe botën në 3 vitet e fundit dhe po kulmon me krizën e borxheve".
Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha tha se për të 6-tin vit radhazi vazhdojmë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve se çdo vënd tjetër në Europë, por edhe në Botë.

"Kjo politikë bazohet tërësisht dhe kryekëput në suksesin e modelit ekonomik të kësaj maxhorance dhe qeverie. Është ky model ekonomik dhe performance në këtë model, ajo që ka bërë dhe bën të mundur rritjen e përgjithshme të rrogave dhe pensioneve", nënvizoi kryeministri.
Sipas tij, vendimi për rritjen e të gjitha rrogave dhe pensioneve, është marrë pasi të gjithë treguesit e kësaj ekonomie dëshmojnë se sërisht, ekonomia e vogël, por dinamike dhe entuziaste e këtij vendi, do të kryesojë rritjen ekonomike në Europë.
"Jo vetëm që nuk ka patur dhe nuk ka shënja reçensioni, e cila është baraz krizë, por përkundrazi në rast se rritja në 2009, në vitin më kulmor të krizës, ishte 3.2%, këtë vit parashikohet të jetë 5 %", vuri në dukje shefi i qeverisë.

Ai nënvizoi se "kjo rritje nuk është thjesht çështje zemërgjerësie, ajo duhet të ekzistojë, qeveria duhet të udhëhiqet nga parimet e njerëzisë, dhembshurisë, solidaritetit dhe ndarjes më të mirë. Ne rrisim rrogat dhe pensionet në një kohë kur kriza po trondit botën, sepse ne vendosëm ekonominë tonë në parimet e reja të funksionimit".

Kryeministri përmëndi nsimat e ndërmarra nga qeveria, të cilat mundësuan suksesin e modelit ekonomik të vendit, siç është liria fiskale ndër më të lartat në Europë dhe në botë, e cila mundësoi që në të katër anët e vendit, numri i biznesve të dyfishohej dhe të mbi dyfishohej.
"Së pari, ne i dhamë vendit qeverinë e vogël, të gjithë sipërmarrësit shqiptarë dhe punonjësit e sektorit privat duhet ta dinë se administrata shtetërore peshon mbi shpatullat e tyre 50 % më pak se në çdo vend tjetër të rajonit", u shpreh kryeministri.
Sipas tij, qeveria ndërmori edhe privatizmin më agresiv, më të shpejtë dhe më të suksesshëm, pasi koorporata publike të pa privatizuara janë muzë korrupsioni.

Gjithashtu Berisha nënvizoi se ky model ekonomik funksionoi, ku taksat u ulën më shumë se në çdo vend tjetër në Europë, pasi politika e taksave të ulta është një nga kushtet krysore për suksesin e biznesit.
"Ulëm taksën e tatim fitimit nga 25% në 10 %, tatimin mbi të ardhurat personale, nga 23 % në 10%, si dhe hoqëm taksën që paguajnë për mallrat e e importuar për regjim përpunimi aktiv në vend", deklaroi kryeministri.
Duke përmëndur edhe investimet e bëra nga kjo qeveri në sektorë të ndryshëm, Berisha deklaroi se do të mbajë të pandryshuar shifrën e borxhit publik dhe të defiçitit buxhetor.
"Megjithëse kemi investuar miliarda euro dhe nuk kemi përdorur një qindrakë për rroga dhe pensione, borxhi publik do të jetë 59.7% , nuk rritet, ky është zotimi para partnerit tonë të shkëlqyer, FMN", theksoi kryeministri.
Ai tha se defiçiti buxhetor nuk rritet dhe as nuk do pranohet të rritet.
Berisha nënvizoi se "po shkurtojmë shpenzimet operative që të qëndrojmë besnikërisht në një defiçit buxhetor jo mbi 3.5 %. Ky është një zotim solemn dhe është edhe një ligj i kaluar në Parlament dhe ne nuk po e ndryshojmë ligjin"

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›