Qeveria serbe miraton raportin për dialogun

Qeveria e Serbisë ka njoftuar se ka miratuar raportin për dialogun Beograd-Prishtinë, i cili do t’i dorëzohet për shqyrtim Kuvendit të Serbisë.
Në kumtesën e Qeverisë serbe, të cilën e transmetojnë mediat në Beograd, thuhet se “është miratuar raporti për procesin e deritanishëm të dialogut edhe politik, edhe teknik, me ‘institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë’, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura”.
Po sipas kumtesës, “në mbledhjen e sotme të qeverisë është formuar një ekip, që do të hartojë planin e zbatimit të marrëveshjes së parë mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve”.
Ekipi do të kryesohet nga sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq, shkruan në kumtesën e Qeverisë serbe./Indeksonline/