BE dhe KE të mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjes

Marrëveshja e arritur midis Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore është një hap historik në drejtim të së ardhmes evropianë dhe në drejtim të forcimit të stabiliteti në Evropën juglindore. Kështu vlerëson ish ndërmjetësi për statusin e Kosovës, tani drejtues i Konferencës për siguri botërore në Mynih, ambasadori gjerman Wolfgang Ischinger.
Me këtë veprim tashmë janë hapur portat e evropiane për të dyja vendet, thuhet në reagimin e sotëm të ambasadorit Ischinger. “Guximi politik i dëshmuar nga të dyja palët, është rruga e vetme dhe e vërtetë për të lënë prapa të kaluarën e përshkuar nga luftërat dhe vuajtjet”, thotë Ischinger, i cili ka lavdëruar gjithashtu punën e përfaqësues së lartë të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, shkruan Rtk.
“Tani është koha që të fillohet menjëherë me zbatimin e marrëveshjes dhe etablimin e marrëdhënieve efektive fqinjësore”, thotë Ischinger. Ky proces duhet domosdo të mbështetet dhe mbikëqyret nga Bashkimi Evropian dhe posaçërisht nga Komisioni Evropian.
Pas kësaj marrëveshje, thotë Ischinger më nuk ka kurrë një arsye që pesë vendet e Bashkimit Evropian: Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Kosova dhe Serbia tani duhet të trajtohen njëjtë nga Bashkimi Evropian dhe të dy shtetet e kanë dhe duhet ta kenë vendin e tyre në mesin e vendeve anëtare të BE-së.
“Marrëveshja e arritur mes dy vendeve duhet të shërbeje gjithashtu si model për çështje të pa zgjidhura si ato në Bosnjë apo edhe për zgjidhjen e problemit midis Maqedonisë dhe Greqisë”, thotë ambasadori Ischinger në reagimin e tij të sotëm./Indeksonline/