Qeveria shkurton shpenzimet, ska më udhëtime dhe dieta
Këshilli i Ministrave ka vendosur dje shkurtimin e paralajmëruar të shpenzimeve buxhetore. Vendimi i djeshëm e detyron Thesarin e Shtetit të kthehet në një arkë të aftë të paguajë vetëm pagat dhe pensionet.
Shkurtimet arrijnë deri në 20 përqind të të gjitha shpenzimeve për administratën, ndërkohë që pezullohen përfitimet e tjera nga dietat apo udhëtimet jashtë vendit.
Kërkesa e fituesve të rinj të zgjedhjeve, është përputhur me strategjinë e këtyre katër viteve të fundit, ku qeveria injekton të gjithë potencialin e vet financiar në pjesën e parë të vitit, dhe pezullon gjithçka për pjesën tjetër.
Sipas vendimit, nga data 15 korrik shpenzimet operative të administratës shkurtohen me 20 përqind.
Qeveria përjashtoi nga shkurtimi vetëm paratë që shkojnë për drita dhe ujë.
Në buxhet janë parashikuar që shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes të jenë rreth 300 milionë USD. Për pjesën e parë të vitit janë shpenzuar rreth 150 milionë USD. Vetëm nga ky shkurtim, qeveria mendon të kursejë rreth 30 milionë USD. Vendimi parashikon shkurtimin me 30% të pagesave për nëpunësit, të cilëve u paguhet fatura e celularit. Të gjitha fondet e parashikuara për telefoninë fikse do të përgjysmohen.
Vendimi ka pezulluar të gjitha shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit. Do të lejohen të udhëtojnë jashtë vendit vetëm titullarët e institucioneve, por pa stafe dhe vetëm në takime të rëndësisë së veçantë.