Qeveria shpall “Dëshmorë të Atdheut” katër anëtarët e Policisë së Shtetit. E shtuna ditë zie kombëtare
Kryeministri Berisha shpall në emër të qeverisë “Dëshmorë të Atdheut”, anëtarët e Policisë së Shtetit, drejtuesin Fatos Haqir Xhani, dhe kryeinspektorët Kastriot Çlirim Feskaj, Saimir Islam Duçkollari, Altin Idriz Dizdari, që humbën jetën në operacionin ndaj kriminelit Dritan Dajti. Në nderim të tyre, qeveria vendosi që dita e shtunë të jetë ditë zie kombëtare. Më tej në deklaratën e tij për shtyp Kryeministri Berisha u shpreh:
Për Policinë e Shtetit dhe mbarë vendin kjo është një e premte e zezë. Sot ranë në krye të detyrës për t’u bërë të pavdekshëm anëtarët e Policisë së Shtetit, drejtues Fatos Haqir Xhani, komandant në forcën e posaçme në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, kryeinspektor Kastriot Çlirim Feskaj, kryeinspektor Saimir Islam Duçkollari, kryeinspektor Altin Idriz Dizdari të njësisë operative në Forcën e Posaçme të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar.
Drejtues Fatos Haqir Xhani, kryeinspektor Kastriot Çlirim Feskaj, kryeinspektor Saimir Islam Duçkollari, kryeinspektor Altin Idriz Dizdari, ranë në krye të detyrës në një operacion që ata ndërmorrën për të kapur kriminelin më të kërkuar dhe më të rrezikshëm të analeve të krimit shqiptar, Dritan Dajtin dhe bandën e tij.
Sot, familjet e Fatos Xhanit, Kastriot Feskajt, Saimir Duçkollarit, Altin Dizdarit, fëmijët e tyre të vegjël, bashkëshortet, prindërit, familjarët e tjerë, miqtë e tyre, janë në zi të thellë për humbjen e njerëzve të tyre më të dashur.
Forcat e rendit kanë humbur oficerët më trima të tyre, kombi shqiptar shërbëtorët e vet më të përkushtuar.
Duke shprehur dhimbjen e thellë, solidaritetin e madh me fëmijët, bashkëshortet, familjarët dhe të gjithë anëtarët e forcave të rendit, qeveria ka vendosur që: drejtues Fatos Haqir Xhani, kryeinspektor Kastriot Çlirim Feskaj, kryeinspektor Saimir Islam Duçkollari, kryeinspektor Altin Idriz Dizdari në përputhje me proçedurat ligjore, të shpallen “Dëshmorë të Atdheut” dhe dita e nesërme në nderim të kujtimit, veprës, trimërisë, heroizmit dhe sakrificës së tyre sublime të shpallet ditë zie.
Në të gjitha institucionet shtetërore, flamuri kombëtar do të ulet në gjysëm shtizë. Në orën 12.00 në nderim të katër “Dëshmorëve të Atdheut” të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje. Homazhet zyrtare për të nderuar të rënët e Policisë së Shtetit, do të bëhen në Pallatin e Kongreseve, ndërsa varrimi i tyre të bëhet në varrezat e Dëshmorëve te Kombit.
07/08/2009