Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ngushëllon familjet dhe kryeministrin Berisha për humbjen e 4 anëtarëve të Policisë së Shtetit
Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, me anë të një telegrami, ka ngushëlluar familjet Xhani, Dizdari, Duçkollari, Feska, si dhe kryeministrin shqiptar Berisha për rënien në krye të detyrës së katër anëtarëve të Policisë së Shtetit. Në ngushëllimin e tij Ahmeti u shpreh:
“Me dhimbje të thellë e pikëllim në zemër e morëm lajmin e trishtueshëm të vrasjes së katër oficerëve të policisë së shtetit shqiptar. Lufta kundër krimit të organizuar dhe funksionimi i shtetit ligjor shpeshherë ka patur çmim të lartë dhe ka marre haraçin në gjak. Bijtë tuaj, oficerë të policisë, janë humbja e madhe që kanë veshur në zi gjithë popullin shqiptar.
Në këto çaste të rënda për Ju familjarë të nderuar dhe Ju, zoti kryeministër, shqiptarët e Maqedonisë janë me Ju, anëtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim e ndjejnë dhe ndajnë dhimbjen me Ju.
Duke qenë bashkë në këto momente pikëllimi, më lejoni të nderuar t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të përzemërta dhe ju lutemi që të mos jepeni, dhimbjen ta shndërroni në forcë dhe te jeni krenar se Fatosi, Altini, Saimiri dhe Kastrioti edhe në momentin e rënies ishin në anën e të mirës dhe në luftë kundër të keqes, ishin në shërbim të nderit dhe autoritetit të familjeve të tyre, të popullit tonë dhe të shtetit shqiptar.
Duke ju percjellë solidaritetin e të gjithë anëtareve të BDI-së ju lutem vëllazërisht të bëheni të fortë se të tillë i patët djemtë tuaj dhe vëllezërit tanë njëkohësisht
Me nderime e respekt,
Ali Ahmeti
08/08/2009