E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shpall fituese te Albpetrol kompanine Vetro Energy

Privatizimi i Albpetrol nga “Vetro Energy” ka marrë edhe aprovimin përfundimtar nga këshilli i ministrave. Si oferta më e mirë teknike dhe financiare me nëj vlerësim prej 97.79 pikësh. Kryeministri Berisha deklaroi se ky privatizim prej të cilit qeveria përfiton 850 milionë euro është një zhvillim i rëndësishëm për thellimin e mëtejshëm të reformave. Si një shifër e papërfishirë në buxhetin e shtetit, kryeministri Berisha tha se garanton qytetarët se gjithë shuma do të shndërrohet në mirësi për ta.
“Nuk kam parasysh fjalë të ëmbël pa substancë, por rrugë, shkolla, ujësjellësa kanalizime, kanale vaditëse, mbështetje të fuqishme për fermerët shqiptarë të cilët po rrisin çdo vit në nivele të admirueshëm prodhimin e vendit. Nuk shkon asnjë qindarkë për shpenzime të administratës. E tëra do të përdoret për qytetarët në katër anët e vendit. Është një lajm i mirë për qytetarët shqiptarë”- tha ai.

Kompania fituese do të duhet të paguajë 20% të vlerës së ofruar në mënyrë që të fillojë negocimi i kontratës për shfrytëzimin e burimeve natyrore të naftës dhe gazit. Pas ratifikimit të marrëveshjes në Kuvendin e Shqipërisë, kompania ka 25 ditë kohë afat për të depozituar të gjithë shumën e ofruar. Zotëruesi i ri i Albpetrolit do të ketë në pronësi të gjitha asetet e ndërmarrjes shtetërore si edhe shfrytëzimin e 1400 puseve në fushën e Patos-Marinzës dhe Kuçovës për një periudhë 25- vjeçare. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se përkundër mashtrimeve dhe demoagogjive të opozitës privatizimi synon rritjen e eficencës dhe fuqisë nxjerrëse dhe eksploruese të vendit.
“Qeveria i jep të drejtën e shfrytëzimit, në mënyrë që në rastin konkret nafta eventualisht gazi që mund të jetë i fjetur në nëntokën shqiptare të mund të nxirret dhe të kthehet në vlerë për qytetarin shqiptar. PS nostalgji arkaike të kohërave të shkuara, kur Shqipëria packa se qytetarët e saj zbrisnin çdo vit e më thellë në pusin e mjerimit, zotohej se këtu nuk do të mund të ketë kapitalist shfrytëzues”-tha ai.
“Në një vend të lirë me ekonomi të lirë tregu, të gjitha fitimet për qytetarin ndaj çdo produkti të nxjerrë nga nëntoka ,qoftë naftë gaz, krom, hekur, nikel, bakër, flori, platin etj, shteti cilido që ta nxjerrë, qoftë shtetërore apo private në emër të qytetarëve të tij merr atë çka mbledh nga tatimi mbi këto produkte. Pra merr TVSH, rentën, tatimin mbi të ardhurat personale, merr tatim fitimin. Natyrisht këto të ardhura për qytetarët janë aq herë më të mëdha sa më i madh të jetë nxjerrja e këtyre aseteve e këtyre pasurive nga nëntoka. Ato do të jenë 5 herë më të mëdha kur nxirren 500 mijë tonë se kur nxirren 100 mijë tonë”- shtoi ai.

Për kryeministrin nafta në Shqipëri gjatë këtyre 22 viteve të fundit dhe më gjatë, nuk ka njohur burime të reja dhe kjo jo se nuk janë bërë shpime, 20 vjet eksplorime nuk kanë pasur ndonjë sukses të lakmueshëm.
“Privatizimi bën që koncesionari i cili e ka këtë të drejtë për 25 vjet dhe që e vërteta është se kjo e drejtë për nxjerrje i është dhënë Banker's e ka të drejtë për 25 vjet, kurse për blloqet ku nuk nxirret ka të drejtë për 5 vjet”- informoi kryeministri.

Duke iu referuar raportit të djeshëm të FMN-së kryeministri deklaroi se edhe FMN pohoi që Shqipëria nuk ka patur dhe nuk ka recesion, ndërsa përsa i përket rritjes ekonomike ai tha se është në natyrën e fondit që gotën e shesh gjithnjë gjysmë bosh.
“Parashikimet e tyre për rritjen ekonomike në Shqipëri janë detyruar të axhustojnë në fund nga rezultati. Vlerësimet e tyre ishin objektive dhe realiste dhe është një partner serioz i qeverisë shqiptare. Nuk ka komb që të ketë histori bashkëpunimi 22 vjeçare si qeveria jonë”- tha Berisha.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›