Kryeministri Berisha takon zonjën Patricia Nugee, dashamirëse dhe studiuese britanike e kulturës dhe historisë së Shqipërisë
Kryeministri Berisha priti sot në takim zonjën Patricia Nugee, dashamirëse dhe studiuese britanike e kulturës dhe historisë së Shqipërisë, si dhe koleksioniste e njohur e jetës dhe veprës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Gjatë këtij takimi, zonja Patricia Nugee shprehu interesimin e saj për turizmin shqiptar, si dhe për arkitekturën e qyteteve dhe zonave bregdetare shqiptare.
Kryeministri Berisha e përgëzoi zonjën Nugee për punën e saj të apasionuar dhe të palodhur për të hyrë thellë në jetën dhe veprën e Skënderbeut, si dhe për të patur në koleksionin e saj mjaft libra të vjetër që dëshmojnë mbi jehonën dhe famën e këtij heroi kombëtar në mbarë perëndimin.
Duke u nisur edhe nga interesimi i koleksionistes britanike për historinë dhe kulturën mbarëshqiptare, biseda u ndal edhe në ditën historike të pavarësisë së Kosovës, si respektim i aspiratave dhe vullnetit të qytetarëve të saj dhe të mbarë botës shqiptare.
Me këtë rast, Kryeministri Berisha i shprehu zonjës Nugee mirënjohjen e shqiptarëve për vendosmërinë dhe mbështetjen e qeverisë së Britanisë së Madhe në çështjen e Kosovës.
Kryeministri Berisha dhe zonja Nugee u ndalën edhe në problemin e ndërtimeve në bregdet, nevojën për një arkitekturë të duhur dhe në përputhje me tipologjinë e bregut, si dhe me përpjekjet që duhen bërë nga institucionet përkatëse për respektimin e ambientit dhe relievit, duke ruajtur bukuritë dhe pasuritë natyrore shqiptare.