E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha :Kosova, shembull qytetarie dhe dinjiteti, në ditën e pavarësisë së saj

Një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Berisha, në mbledhjen e Grupit parlamentar të PD-së përshëndeti dhe përgëzoi, sërish, qytetarët e Kosovës për maturinë  dhe dinjitetin e treguar në festën madhështore të lirisë. “Festa e djeshme ishte një demonstrim madhështor i shkallës së civilitetit, maturisë së qytetareve të Kosovës. Mendoj se ata dëshmuan para të gjithë botës se meritonin plotësisht pavarësinë.” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha vlerësoi angazhimin e mbarë qytetarëve të Kosovës për të respektuar thellësisht njeri-tjetrin, pavarësisht përkatësisë etnike dhe vendosmërinë  e tyre t’ju përkushtuar të ardhmes evropiane.

Duke vlerësuar në menyrë te vecantë, përkushtimin e forcave politike të Kosovës, në dobi të pajtimit dhe bashkëpunimit, Kryeministri Berisha vlerësoi se pajtimi i shoqërisë së Kosovës, pavarësisht nga përkatësitë etnike, përbën një nga faktorët më kryesore të konsolidimit, të paqes, stabilitetit dhe pavarësisë.

Kryeministri Berisha u shpreh kombi shqiptar në këto momente ka  miq, më shumë se çdo herë tjetër  dhe një të ardhme evropiane më të sigurt se kurrë.

Kryeministri u shpreh se festa e djeshme, nuk mund të ishte një festë, vetëm mes Kosovës dhe Shqipërisë, por një festë e madhe mes Kosovës dhe të gjithë miqve të saj dhe të Shqipërisë. “Gazetarët me të drejtë kanë shtruar pyetjen legjitime se përse Tirana zyrtare nuk ndodhej atje. Dua të sqaroj se me shpirt dhe me zemër, Tirana zyrtare, Shqipëria zyrtare dhe jozyrtare ka qenë e tëra aty, por asnjë shqiptar nuk do të donte që kjo të ishte një festë vetëm mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo duhet dhe do të jetë një festë midis Kosovës dhe gjithë miqve të Kosovës dhe Shqipërisë.” tha Kryeministri.

Duke përkujtuar me mirënjohje sakrificat mbinjerëzore të qytetarëve të Kosovës , në emër të lirisë, Kryeministri Berisha shprehu nderimin më të madh  për të gjitha kombet e botës së lirë dhe të vendeve mike, të cilat dhanë mbështetjen e tyre në zgjidhjen e drejtë të kësaj çështje.  “Dua të përulem me nderimin më të madh, para shtetarëve të botës së lirë dhe kombeve të botës së lirë, Kongresit të Senatit amerikan, qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Klinton që udhëhoqi luftën dhe NATO-n, për çlirimin e tyre, Aleancën e Atlantikut të Veriut, Presidentit Bush, i cili nga Tirana dha kushtrimin “Tani është koha”, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Gjermanisë dhe të gjithë vendeve mike. Ky ka qenë një problem shumë i vështirë, por qëndruam në anën e drejtë.” tha Kryeministri.

Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare mbetet thellësisht e angazhuar për  të bashkërenduar të gjitha qëndrimet e saj me qeveritë e vendeve të BE-së, si dhe do të jetë në kontakt me qeverinë e SHBA-ve dhe Brukselin për të gjitha vendimet që do të merren.

Duke theksuar se tashmë trupi i kombit shqiptar është më i ri dhe më i shëndetshëm se kurrë, Kryeministri u shpreh se për sa i përket njohjes është në detyrimin moral, ndaj të gjithë atyre që kontribuuan në këtë çështje, që të bashkërendohet çdo qëndrim dhe çdo vendim, në interesin më të mirë të kombit shqiptar. “Lidhur me njohjen, ne na përket në detyrimin tonë moral , në radhë të parë, ndaj gjithë atyre, që e bënë të mundur këtë, të bashkërendojmë çdo qëndrim , çdo vendim me ta, me aleatët, me miqtë sepse ky është interesi më i mirë i kombit. Kjo është plotësisht e rakorduar me presidentin e Kosovës, me kryeministrin e Kosovës me udhëheqësit e Kosovës. u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›