Qeveria shton përpjekjet për lirimin e TaçitNga Tema Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, po përdor ish-punëtorët e ARMO-s, që janë pushuar nga kjo ndërmarrje, për të treguar se është e nevojshme që Rezart Taçi të lirohet nga burgu. Ish-p
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Qeveria shton përpjekjet për lirimin e TaçitNga TemaMinistri i Ekonomisë, Dritan Prifti, po përdor ish-punëtorët e ARMO-s, që janë pushuar nga kjo ndërmarrje, për të treguar se është e nevojshme që Rezart Taçi të lirohet nga burgu.
Ish-punëtorët e ARMO-s kanë shumë muaj pa marrë pagesat që iu ishin premtuar. Duke përdorur këtë situatë, ministri Prifti takoi një përfaqësi të tyre dhe u tha se pagat nuk po i marrin, për shkak se presidenti i “Taçi Oil” ndodhet në burg.
Prifti tha se pagesat atyre iu janë mbajtur, për shkak të një gabimi teknik që është bërë në kohën para se të privatizohej ARMO.
“Prifti sqaroi ish-punonjësit se njihet me çështjen dhe se gabimet teknike në llogaritje të bëra nga ARMO (shtetërore) dhe METE në kohën e privatizimit kanë sjellë problemet në pagesa. Megjithatë çështja është drejt zgjidhjes. Në një marrëveshje që pritet të firmoset mes METE dhe kompanisë “Taçi Oil”, parashikohet që “Taçi Oil” dhe qeveria të paguajnë faturën përkatëse për të përmbushur këtë detyrim të merituar ndaj punonjësve të dalë në reformë. Marrëveshja ishte parashikuar të firmosej javën e kaluar, por për shkak të problemeve ligjore të z. Rezart Taçi mbeti pa firmosur”, - thuhet në një njoftim të ministrisë.
Problemi i vonesave me pagesat për ish-punonjësit e ARMO-s ishte denoncuar shumë kohë më parë nga opozita. Deputeti i PS, Erion Braçe, e quajti në prill vjedhje të hapur të pagesave të tyre. “Denoncoj një tjetër vjedhje të qeverisë Berisha. Kësaj radhe është një vjedhje me përmasa të mëdha ndaj 606 qytetarëve, kryesisht të Ballshit, të cilëve prej 6 muajsh nuk iu jepen 26 milionë lekë të reja ose 3 milionë dollarë. Këta punonjës janë të njohur për të gjithë publikun dhe nga Ministria e Ekonomisë, prej së cilës vareshin deri në qershor, si kosto humane njerëzore apo çnjerëzore e privatizimit të ndërmarrjes shtetërore të tregtimit të naftës, ARMO. Këta janë 606 punëtorë, pjesa më e madhe e të cilëve janë gra kryefamiljare, të pushuara nga puna në qershor të vitit 2008, 4 muaj para privatizimit të kompanisë, nën kriteret fashiste, politike, nën argumentin e përgatitjes së kompanisë për privatizim. Sipas vendimit nr. 261, të datës 27 shkurt 2008, dhe më pas sipas udhëzimit të ministrit të Ekonomisë, nr. 250, të datës 08.04.2008, në daljen e tyre, qeveria dhe Sali Berisha duhet t’iu paguante nga ndërmarrja e pa-privatizuar 1 vit pagë për ndërprerje të marrëdhënies së punës dhe së dyti, shpërblim për vjetërsinë e punës së secilit punëtor, sipas Kodit të Punës, që është ende në fuqi në Republikën e Shqipërisë”, - tha Braçe.
Gazeta “TemA” ka raportuar se Taçi mbërriti si kamerier nga Itali për të nisur rrugën e biznesit në periudhën e qeverisjes Meta, prej nga mori mbështetjen e parë në rrugë informale. Gjatë fushatës zgjedhore të këtij viti, Taçi u angazhua për të ndihmuar partinë e Metës e sidomos kontribuoi në zonën e Dritan Priftit.
Qeveria ka shpërfillur këdo në betejën e saj për fuqizimin antiligjor të Taçit
Pas sulmit brutal të biznesmenit Rezart Taçi ndaj botuesit të gazetës “TemA”, në vend kanë shpërthyer polemika që kryesisht kanë të bëjnë me faktin se ato që ka botuar gazeta “TemA” janë shpërfillur nga qeveria. Sot ne botojmë të dhëna se si qeveria dhe kryeministri, Sali Berisha, kanë shpërfillur gjithçka e gjithkënd dhe nuk janë ndalur në realizimin e qëllimit të tyre: fuqizimin e biznesmenit Rezart Taçi në mënyrë krejt të pandershme.
Qeveria nuk ka dëgjuar, jo vetëm medien, por nuk ka dëgjuar as konsulentët e huaj, as biznesin e huaj, as biznesin vendas, as sindikatat dhe punëtorët e kësaj ndërmarrjeje, as Gjykatën Kushtetuese dhe as opozitën e këtij vendi. Ajo madje ka shpërfillur dhe strukturat e saj, pasi tatimorët e Fierit, që guxuan të shkojnë e të kyçin ndërmarrjen, u lanë në baltë. Ajo nuk ka dëgjuar as doganierët e Vlorës, që nuk lejuan anijen kontrabandë të shkarkohej në port, por hasën në dhunën primitive të Taçit dhe truprojave të tij.
***
Fillimisht ishte firma konsulente amerikane “Patton Boggs” që hartoi një dokument të emërtuar “Lista e blerësve potencialë të ARMO” sh. a., e azhornuar deri më 15 janar 2008, që përcakton listën e blerësve potencialë të ARMO-s, në të cilën mungonte kompania fituese që ka blerë kompaninë shtetërore ARMO. Dokumenti i siguruar nga gazeta “TemA” rendit me dhjetëra kompani prestigjioze, nga Amerika, Rusia e Lindja e Mesme. Përzgjedhja e kompanive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë serioze në këtë listë. Jo pak, por 26 kompani amerikane ishin përzgjedhur. Ndër to kompani të njohura edhe nga publiku shqiptar si “Chevron Corporation”, “Exxon Mobil Refining”, “Global Energy”, “Occidental Petroleum”, “Sunoco”, por dhe të panjohura nga ky publik si “AIPC”, “Colony Capital”, “Houston Refining”, “Kinder Morgan Energy” etj. Ndër 26 kompani amerikane të përzgjedhura 12 janë nga Teksasi. Ndër këto 12 kompani nga Teksasi nuk bën pjesë kompania “Refinery Associates of Texas”, që më vonë rezultoi se ishte thjesht një mashtrim.
***
Pasi shpërfilli kompaninë konsulente, qeveria mashtroi hapur me dokumentet e tenderit, çka bëri që kompania e dytë në garë të ngrejë dy padi ndaj drejtuesve të Ministrisë së Ekonomisë në atë kohë.
Konsorciumi “US Balkan Capital Fund Inc.” ka kallëzuar ish-ministrin e Ekonomisë dhe Privatizimeve, Genc Ruli, dhe zëvendësin e tij, Neritan Alibali, që ishte dhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Akuza ndaj tyre është për shpërdorim të detyrës dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tender.
***
Pasi nuk e vuri ujin në zjarr për firmat e huaja që morën mundimin të garonin në vendin tonë, qeveria shpërfilli hapur biznesin vendas, që ndjente rrezikun që po i vinte nga një biznes në rritje në mënyrë të paligjshme. Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka protestuar dhe e ka denoncuar monopolin që kryeministri, Sali Berisha, i ka dhënë “Taçi Oil” në tregtimin i vetëm të naftës D2. Duke theksuar se nga 420 mijë tonë që shiten gjithsej, 300 mijë janë nga kjo naftë, që tashmë do jetë vetëm në dorën e Taçit, kjo shoqatë i ka kërkuar kryeministrit të rishohë vendimin që parashikon treg monopol dhe shkatërron miliona euro investime dhe dëmton rëndë konkurrencën. Sipas kësaj shoqate, ka të dhëna se ky monopol do thellohet edhe më tej.
***
Kulmi arriti kur qeveria nuk pranoi të dëgjonte një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e gjente antiligjor vendimin e saj për t’i dhënë monopolin e naftës Taçit.
Kushtetuesja arriti në përfundimin se vendimi i qeverisë kufizon liritë ekonomike, krijon një treg monopol.
“Gjykata konstaton se vendimi i kundërshtuar duke lejuar tregtimin e të njëjtit produkt me sasi të ndryshme squfuri, duke lejuar tregtimin e një produkti nga shoqëria ARMO, të ndaluar për operatorët e tjerë, dhe duke iu imponuar subjekteve tregtare që janë anëtare të kërkuesit dhe që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, të pajisura me “leje tregtimi të llojit A”, blerjen e produktit Diesel D2 pranë një operatori të vetëm, nëse duan që këtë produkt të vazhdojnë të shesin, krijon në treg një monopol në favor të shoqërisë ARMO sh. a., dhe për pasojë cenon lirinë e importimit dhe eksportimit të mallrave dhe shërbimeve, duke kufizuar kështu lirinë e tyre ekonomike”, - thuhet në vendimin e GJK.
***
Mbi të gjitha qeveria nuk ka pranuar asnjëherë të sqarojë opozitën dhe t’i përgjigjet asaj për skandalin e privatizimit të ARMO-s dhe të fuqizimit të Rezart Taçit.
Disa herë vetë kryetari i opozitës ka kërkuar nga qeveria sqarime, por dhe zbatimin e vendimit të Kushtetueses.
Por Berisha, në betejën e tij për të ruajtur Taçin, nuk ka të ndalur.