E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, si PS: Tatim më të lartë për të pasurit

Relacioni i ligjit: Evidentim dhe pagesa plus për të ardhurat mbi mesataren

Kush fiton mbi 166 mijë lekë në muaj, do paguajë më shumë

Qeveria ka në plan ti taksojë më shumë shtresat e pasura. Ligji i ri për deklarimin e të ardhurave vjetore, në fakt do të shërbejë si një zbulues i të pasurve dhe taksimit të tyre. Ndryshimet e fundit dhe vendosja e deklarimit me detyrim për ata që krijojnë më shumë se dy milionë lekë të ardhura bruto në vit, pritet të listojë në Drejtorinë e Tatimeve të gjithë të pasurit e vendit. Në relacionin që shoqëron ligjin, Financat e përcaktojnë qartë strategjinë e tyre. Edhe pse deri tani publikisht qeveria është shprehur kundër rritjes së diferencuar të tatimit sipas pasurisë, ndryshimet e fundit ligjore në deklarimin e të ardhurave vjetore, de fakto po i shërbejnë këtij qëllimi. Individët me të ardhura vjetore të larta, pra mbi mesataren, do ti nënshtrohen reformës së evidentimit dhe formalizimit nga administrata tatimore, si dhe pagimit të tatimeve plus. Kjo është shumë e rëndësishme edhe në kushtet aktuale, kur sistemi ynë fiskal i tatimit të individëve nuk përfshin kategorizimin e tatimit ndryshe të individëve. Kjo pjesë e relacionit të ligjit dhe ndryshimi duke rritur detyrimin e deklarimit të të ardhurave vetëm për ata që fitojnë mbi dy milionë lekë në vit, qartëson ndryshimin e qëndrimit të qeverisë pas publikimit nga PS të programit për taksimin progresiv.
Qeveria pranon se të pasurit tatohen njësoj si të varfrit dhe pritet të krijojë databazën e saj të të dhënave për pasanikët shqiptarë.
Ligji
Ligji i detyron të gjithë personat që kanë të ardhura, nga të gjitha burimet, mbi dy milionë lekë në vit, të plotësojnë formularin e deklarimit të pasurisë. Llogaria e qeverisë përfshin të gjithë ata individë që kanë një të ardhur mujore bruto nga paga apo nga fitime të tjera, prej 166 mijë lekësh në muaj. Këtu, përveç bizneseve dhe personave të tjerë, përfshihen të gjithë deputetët, ministrat dhe hierarkia e lartë e administratës publike. Ligji parashikon që këta persona të deklarojnë detyrimisht pasurinë e shtuar vjetore dhe tatimet që kanë paguar për vendosjen e kësaj pasurie. Me sistemin tatimor shqiptar, e gjithë pasuria duhet të jetë tatuar me 10 për qind. Formulari parashikon që këta persona të plotësojnë, me dokumentacion, edhe taksat që kanë paguar për krijimin e kësaj pasurie. Diferenca mes taksave të paguara dhe taksave që duhet të paguajë nga tatimi 10 për qind i pasurisë do të rimbahet nga tatimet. Pra, në rast se ke krijuar të ardhura 3 milionë lekë, duhet të kesh paguar 10% tatim mbi të ardhurat, ose 300 mijë lekë. Në rast se me dokumente deklaron se tatimi që ke paguar është 200 mijë lekë, diferenca prej 100 mijë lekësh do të tatohet sërish. Ligji parashikon që nga të ardhurat të hiqen shpenzimet që bëhen për sigurim vullnetar, interesat e kredive për arsim apo shpenzimet e pambuluara nga sigurimet për shëndetësi, të quhen të ardhura të zbritshme. Por, ligji përjashton të pasurit, pra ata që kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit, nga këto shpenzime të zbritshme. Është një shtresë tjetër ajo që, sipas qeverisë, quhet me të ardhura të mesme e të ulëta, që mund të përfitojë nga kjo zbritje.
Të pasur-të varfër
Pra, kush realizon të ardhura mbi 166 mijë lekë në muaj, është i pasur dhe detyrohet të deklarojë të ardhurat. Ligji përjashton nga deklarimi vullnetar të gjithë ata që kanë të ardhura vjetore nga 1.050 milionë lekë në vit, deri në 2 milionë lekë në vit. Kjo, sipas qeverisë, quhet shtresa e mesme. Ndërsa ata që kanë të ardhura më pak se 1.050 milionë lekë në vit, mund të deklarojnë vullnetarisht. Në këtë mënyrë, qeveria duket se do të përcaktojë edhe nivelet e popullsisë. Të ardhurat e larta janë mbi 166 mijë lekë në muaj, ndërsa ato jo shumë të larta, ose më pak të mesme, janë me 87 mijë lekë në muaj. Kush merr ose fiton më pak se kaq para në muaj, mund të deklarojë vullnetarisht të ardhurat që do të përfitojë nga skema e rimbursimit që parashikon ligji. Në relacion parashikohet se paga mesatare e administratës, ose e rreth 90 mijë buxhetorëve, është 40.874 lekë në muaj. Pra administrata mund të përfitojë.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›