E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe, kundër Ramës: Nuk largohem nga Berati

Erjon Braçe

Anëtari i Kryesisë së PS, kundër vendimit të Asamblesë

Do vazhdoj të qëndroj këtu çdo javë, nuk lëviz për asnjë ofiq

Nënkryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka deklaruar dje nga Berati se do të përfaqësojë socialistët e qarkut ku është zgjedhur deputet deri në fund dhe se nuk do të pranojë të largohet. Deputeti i PS-së, gjatë një konference për mediat, kundërshtoi vendimin e marrë nga Asambleja Kombëtare për ta zhvendosur nga qarku i Beratit e për ta dërguar në degën e qarkut të Korçës. Por, për deputetin e Beratit, kjo nuk do të ndodhë. Ai ka pohuar para socialistëve se do ti qëndrojë besnik qytetarëve që e kanë mandatuar për disa vite me radhë në Kuvendin e Shqipërisë. Për asnjë arsye, për asnjë moment dhe natyrisht për asnjë ofiq, nuk do të lëviz nga plotësimi i mandatit nga qarku i Beratit. Do vazhdoj të qëndroj këtu çdo javë, për një çdo problematikë që tashme është kalendarizuar në 12 muaj të vitit, deklaroi Braçe. Deklaratat e nënkryetarit të Grupit të PS-së nuk janë pritur mirë nga socialistët që ndodheshin dje në ambientet e PS-së së Beratit. Gjatë diskutimeve, mësohet se anëtarët e PS-së i kanë shprehur deputetit të tyre se gjithsecili duhet të zbatojë ligjin e brendshëm të partisë, që është statuti. Një pjesë e socialistëve të Beratit kanë kërkuar prej deputetit që të mos e kundërshtojë vendimin e Asamblesë Kombëtare, por ta zbatojë atë.
Përplasja me Klosin
Ndërkohë që deputeti Braçe kundërshtoi vendimin e Asamblesë nga qyteti i Beratit, sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi, ka mbledhur dje strukturat e kësaj force politike në qytetin e Korçës. Pas përfundimit të mbledhjes, që është zhvilluar pa praninë e mediave, Blendi Klosi i është shmangur pyetjes së gazetarëve lidhur me mungesën e të deleguarit të PS-së, deputetit Erjon Braçe, në prezantimin e strukturave të qarkut të Korçës. Klosi ka deklaruar se: Kjo është një mbledhje organizative, qëllimi i së cilës është ristrukturimi i bazës, për të përgatitur partinë për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013.

Vendimi i Kryesisë së PS
Kryesia e Partisë Socialiste vendosi një javë më parë qarkullimin e të gjithë anëtarëve të saj si të deleguar në qarqet e vendit. Shumica e anëtarëve të saj, me përjashtim të Lindita Nikollit në Lezhë, të deleguarit e saj për çështjet e partisë dhe programit kanë marrë drejtimin e qarqeve të tjera. Blushi është në Elbasan Braçe në Korçë, Dokle në Berat, Majko në Dibër, Malaj në Kukës Leskaj e Xhafaj në Vlorë dhe Kodheli në Shkodër.

Mblidhet Këshilli i të Urtëve i PS
Mungojnë Pëllumbi e Bufi, Meidani pranon ftesën e Edi Ramës
Kreu socialist mblodhi dje për herë të parë që nga krijimi i tij më 2 dhjetor, Këshillin Politik të PS-së, ose grupin e të urtëve siç njihet ndryshe. Këshilli Politik i PS-së është struktura më e re e ngritur nga Asambleja e PS-së dhe funksionon si Këshilli politik pranë kryetarit të partisë. Të pranishëm, ish-presidenti Rexhep Meidani, i cili kohët e fundit ka qenë më tepër se sa kritik ndaj PS-së dhe Ramës në media, por ra në sy mungesa e ish-kryetarit të fundit socialist të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili mësohet se ka munguar për arsye shëndetësore dhe e ish- kryeministrit socialist Ylli Bufi, i cili ndodhej jashtë vendit.
Përveç Meidanit, në takimin me Ramën ishin Sabit Brokaj, Pandeli Majko, Bashkim Zeneli, Maqo Lakrori, Gramoz Ruçi, Arta Dade, Namik Dokle, Luan Hajdaraga dhe Ethem Ruka. Rama ishte iniciatori i ngritjes së këtij këshilli, duke thënë se besonte në eksperiencën e tyre. Në takimin e parë, Rama ka kërkuar mendime prej anëtarëve të këtij këshilli, se si duhet të funksionojë ai, ndërsa është vendosur që ata të mblidhen të premten e fundit të çdo muaji, por dhe jashtë kësaj radhe në raste, nëse do të ketë tema të nxehta të politikës së ditës. Në fjalën e tij në nisje të takimit, Rama ndër të tjera tha se efikasiteti dhe produktiviteti i kësaj tryeze është i lidhur drejtpërdrejtë edhe me kontributin e secilit, por unë nga ana ime jam i bindur që kjo tryezë është një vlerë e shtuar në gjithë përpjekjen për ti dhënë familjes sonë politike sa më shumë kontribute në aspektin e diskutimit mbi strategjinë, mbi ecurinë hap pas hapi të ballafaqimit politik dhe sigurisht edhe mbi kohezionin që duhet krijuar medoemos midis gjithë faktorëve e aktorëve brenda kësaj familjeje të madhe. Ky nuk do të jetë një forum honorifik, por një bërthamë e rëndësishme dhe influente në vendimmarrjen e Partisë Socialiste. Kjo do të jetë një tryezë e hapur për të pasur prezentë edhe protagonistë të tjerë të jetës dhe të punës së partisë sipas rasteve dhe sipas nevojave që mund të nxjerrë periudha në vijim, duke e kthyer në një tryezë diskutimi për të marrë të gjitha sugjerimet, idetë, këshillat në raport me çështje apo momente të caktuara të jetës politike.

Këshilli Politik i PS
.    Servet Pëllumbi
.    Rexhep Meidani
.    Ylli Bufi
.    Namik Dokle
.    Gramoz Ruçi
.    Bashkim Zeneli
.    Pandeli Majko
.    Arta Dade
.    Ethem Ruka
.    Maqo Lakrori
.    Luan Hajdaraga
.    Sabit Brokaj

Situata në miniera, PS kërkon përgjigje nga ministri
Deputetët e PS, letër Berishës: Naço sna jep informacion zyrtar

Deputetët e Partisë Socialiste i kanë dërguar dje një letër Kryeministrit Berisha, ku e vënë në dijeni se pas një letre që i kanë çuar ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço, për gjendjen në minierën e Bulqizës, ai ende nuk u ka kthyer përgjigje. Duke cituar statusin e deputetit dhe Kushtetutën e vendit, deputetët socialistë i kanë kërkuar kreut të qeverisë që të ndërhyjë për këtë çështje. Kërkojmë ndërhyrjen tuaj për të detyruar ministrin e qeverisë suaj të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që të dorëzojë menjëherë përgjigjet e pyetjeve që ne deputetët e opozitës kemi depozituar më shumë se 1 muaj më parë. Duke dashur të besojmë se ju dhe qeveria juaj do përmbushni detyrimet kushtetuese për të informuar publikun dhe deputetët e opozitës në respekt të Republikës Parlamentare dhe pa lejuar që të kthehet në republikën e ministrave të Kryeministrit; mbetemi në pritje të përgjigjes suaj, thuhet në fund të letrës së deputetëve socialistë. Sipas opozitës, minatorët vazhdojnë të vdesin tuneleve të minierave të trajtuar si skllevër, ndërkohë që miliona euro përfitime shkojnë në xhepat e shfrytëzuesve që shtojnë pasurinë e tyre në kurriz të shkatërrimit të pasurisë sonë kombëtare.

DILAVER XHELILI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›