E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria s'ka plan katastrofash

Raporti i OKB-së, dush të ftohtë qeverisë Berisha: Nga 2005-a braktisi çdo plan reagimi


Qeveria shqiptare i ka braktisur që pas 2005-ës të gjitha përpjekjet për të ndërtuar një plan reagimi në rast katastrofash kombëtare si ajo që rezultoi me rastin e Gërdecit në mars të vitit që shkoi.

Ky është përfundimi që nxjerr një raport ndërkombëtar i ndërmarrë nga një agjenci e Kombeve të Bashkuara e cila u angazhua në analizimin e situatës pas shpërthimit që i mori jetën 26 shqiptarëve para një viti.


UNDAC (United Nations Disaster Assessment and Coordination), ishte një njësi e cila u dërgua në Shqipëri në mars të vitit që shkoi për të analizuar nga afër pasojat e shpërthimit të Gërdecit dhe për të shqyrtuar nëse qeveria kishte vepruar me cilësinë e duhur për përballimin e kësaj katastrofe.

Ndërkohë që nxjerr një pasqyrë të qartë të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi, të cilat deri në një farë mase përputhen me të dhënat që posedohen tashmë edhe nga opinioni publik në Shqipëri, njësia e OKB-së, jep disa vlerësime tepër shqetësuese për mënyrën sesi qeveria shqiptare e menaxhoi këtë krizë dhe për nivelin e përgjigjes së saj në rastet e krizave të tjera të mundshme.


Në kapitullin e katërt të konkluzioneve, raporti i UNDAC hedh dritë mbi një fakt shqetësues që ka të bëjë me seriozitetin me të cilin qeveria shqiptare i shikon katastrofat e mundshme kombëtare.

"Shqipëria kishte zhvilluar një plan kombëtar të menaxhimit të katastrofave me ndihmën e PNUD-it dhe të DFID-së më 2004"-shkruan raporti i cili jep vlerësime për këtë plan të dikurshëm duke e quajtur atë të plotë dhe gjithëpërfshirës.


Megjithatë, vëren raporti, "fatkeqësisht, plani nuk u përditësua më qysh nga ndryshimet e fundit në administratën qendrore në Shqipëri".

Raporti vazhdon duke rreshtuar ato që do të përfitonte Shqipëria në qoftë se do të kishte një plan të tillë të përballimit të katastrofave.

"Plani do të shërbente si një platformë për përmirësimin e sistemit të reagimit të ndihmës në Shqipëri. Ekziston mungesë kapaciteti dhe trainimi në menaxhimin e rrezikut të katastrofave në nivel qeveritar",- thotë raporti.


Raporti hedh dritë edhe mbi një sërë të dhënash për përllogaritjen e dëmeve të shkaktuara gjatë shpërthimit të 15 marsit 2008.


Sipas agjencisë së OKB-së, totali i fondeve që do të nevojiteshin për rikuperimin e dëmeve në zonën e Gërdecit, vlerësohet të ishte rreth 32 milionë euro duke përfshirë këtu jo vetëm rindërtimin e shtëpive, shkollave dhe infrastrukturën, por deri edhe rehabilitimin mjedisor të pyjeve përreth. Përveç kësaj, raporti vlerëson se edhe rreth 50 milionë euro do të nevojiteshin për çmontimin e municioneve të mbetura.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›