E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, shkelet urdhri, vazhdon puna në galeri

"Bëhet fjalë për disa kompani, që kanë rifilluar punimet pa marrë parasysh urdhrin për pezullim të punimeve, deri në përmbushje të standardeve të sigurisë teknike"

Nga 21 subjekte, që operojnë në minierat e Bulqizës, vetëm 3 prej tyre pretendojnë se kanë plotësuar kushtet e vëna nga METE.

Kompanitë që shfrytëzojnë minierat e kromit në Bulqizë shkelin urdhrin e ministrit për pezullim të punimeve, deri në përmbushjen e standardeve të sigurisë. Nga një vëzhgim në terren, rezulton se, shoqëritë që janë të licencuara për shfrytëzimin e minierave të Bulqizës, kanë vazhduar normalisht punën, duke mos e marrë fare në konsideratë urdhrin që ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, kishte lëshuar një muaj më parë, për të pezulluar të gjitha ato kompani, të cilat nuk përmbushin kushtet e sigurisë teknike. Fakti konfirmohet edhe nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave, Indrit Selba.


Ai pohoi për "Shekulli"-n se është në dijeni të këtij informacioni. "Kam dy ditë që jam në dijeni të këtij informacioni, dhe kemi dërguar forcat e rendit për ndalimin e punimeve të kompanive në fjalë. Sipas të dhënave, bëhet fjalë për disa kompani që kanë rifilluar punimet, pa marrë parasysh urdhrin për pezullim të punimeve, deri në përmbushjeve të standardeve të sigurisë teknike",- tha ai.


Kreu i RISHM-së bën me dije, se dërgimi i forcave të rendit për bllokimin me forcë të punimeve, është masë paraprake, pasi në rast të vazhdimit të punës, institucioni që ai drejton, do t'i kërkojë ministrit heqjen e licencave për shkelësit. Sipas procedurave ligjore, pas pezullimit të punimeve, kompanitë që pretendojnë se kanë përmbushur kriteret e vendosura nga METE, duhet të bëjnë një kërkesë pranë kësaj të fundit, për të dërguar një grup inspektimi, për të verifikuar situatën.


Pas konfirmimit të plotësimit të kushteve nga grupi i inspektimit, kompanitë kanë të drejtë të rifillojë punimet. Bëhet e ditur se, deri ditën e premte, nga 21 subjekte të licencuara në atë zonë, vetëm 3 prej tyre kanë njoftuar METE-n për përmbushje të kushteve të sigurisë teknike.


Brenda një viti, në galeritë e minierës së Bulqizës dhe në stoqet e kromit rreth saj, kanë dhënë shpirt plot 20 minatorë, duke e kthyer këtë në një bilanc lufte dhe, rifillimi i punimeve nga disa subjekte pa përmbushur kushtet, cilësohet si tepër i rrezikshëm nga specialistët, pasi në këtë zonë vërehet edhe një lëvizje e masivit shkëmbor, duke u hapur rrugën aksidenteve të reja.


Ky nuk është rasti i vetëm, kur subjektet e licencuar për shfrytëzimin e kromit të Bulqizës, nuk kanë respektuar direktivat e dala nga METE. Vetëm disa muaj më parë, nga kjo ministri kishte dalë një urdhër tjetër për pezullimin e punimeve në galerinë nr. 104, i cili nuk është respektuar dhe kompania ka vazhduar punën normalisht. Urdhri për pezullimin e punimeve të të gjitha subjekteve që operonin në këtë minierë, deri në përmbushjen e kushteve teknike, ka dalë nga zyra e ministrit të Energjetikës, Genc Ruli, që më datë 17 shkurt, fill pasi humbi jetën minatori i 20-të që punonte në këtë minierë.


Studimi


Nga një studim i kryer nga Reparti i Inspektim-Shpëtimit të Minierave, rezulton se, zona ku ndodhen galeritë e minierave, ka pësuar një devijim të masivit shkëmbor, duke bërë që të dalin në sipërfaqe dy hinka të galerive, e cila, sipas specialistëve, e bën tejet të rrezikshme vazhdimin e punimeve brenda tyre. Miniera e Bulqizës ka që në vitet '80-të që nuk shfrytëzohet dhe licenca e parë është dhënë në vitin 2005, duke bërë që të shtohej interesi edhe nga kompani të tjera. Gjatë gjithë historisë së saj 60-vjeçare, në minierën e kromit në Bulqizë kanë humbur jetën plot 260 minatorë, duke përfshirë edhe të burgosurit politikë që kanë punuar në të.

20 të vdekur brenda një viti
260 të vdekur që nga fillimi i shfrytëzimit
43 për qind është shifra që zënë mineralet në eksportet shqiptare
120 milionë euro është shuma e eksporteve të mineraleve për vitin 2007
21 numri i subjekteve të licencuara
3 subjekte pretendojnë se kanë përmbushur kushtet teknike


"Deri ditën e premte, nga 21 subjekte të licencuara në atë zonë, vetëm 3 prej tyre kanë njoftuar METE-n për përmbushje të kushteve të sigurisë teknike"

"Gjatë gjithë historisë së saj 60-vjeçare, në minierën e kromit në Bulqizë kanë humbur jetën plot 260 minatorë"

Minierat, japin shumë, por investohet pak

Mineralet kanë përbërë 43 për qind të eksporteve shqiptare për vitin 2008.

TIRANË - Megjithëse nxjerrin minerale, të cilat përbëjnë 40 për qind të totalit të eksporteve shqiptare, galeritë vazhdojnë të mbeten në nivele të ulëta investimesh. Prej disa vitesh, një mori kompanish të huaja dhe vendase kanë marrë në shfrytëzim një numër të konsiderueshëm të minierave shqiptare, por aksidentet e njëpasnjëshme dhe faktet nga terreni, tregojnë se prioritet është vetëm maksimalizimi i fitimeve. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, mineralet kanë zënë 43 për qind të eksporteve shqiptare për vitin 2008. Për vitin 2007, të ardhurat nga eksporti i mineraleve shënojnë shifrën e 120 milionë eurove, ndërkohë që nuk dihet shifra se sa nga këto janë investuar për sigurinë teknike, në radhë të parë, për të mbrojtur jetën e minatorëve, dhe në rinovimin e teknologjisë. Vetëm për muajin janar 2009, nga Shqipëria janë eksportuar 420 milionë lekë mallra të grupit "Minerale dhe lëndë djegëse". Ndërkaq, duke e konsideruar si një sektor me të ardhura të konsiderueshme atë të nxjerrjes së mineraleve, disa muaj më parë, qeveria vendosi rritjen e rentës minerare, nga 2 për qind në 10 për qind.


OPEK-u: Do të ulim prodhimin e naftës
Vendet anëtare të OPEK-ut, të pakënaqura me uljen e çmimit të naftës, si pasojë e krizës ekonomike, paralajmërojnë ulje të prodhimit
Vendet e OPEK-ut marrin në shqyrtim mundësinë e uljes së prodhimit të naftës së eksportuar. Sikur të mos i mjaftonin problemet e shumta që po kalojnë, si pasojë e krizës ekonomike, vendet e prekura nga kriza duhet të përballen edhe me zhvillimet negative që mund të sjellë ulja e prodhimit të naftës nga vendet e OPEK-ut. Shumica e 12 vendeve anëtare të këtij organizmi, kanë shprehur mbështetje për pakësimin e prodhimit si mjet për ngritjen e çmimit të naftës, i cili në dhjetor arriti pikën më të ulët, prej 32.4 dollarë për fuçi. Të njëjtin paralajmërim ka bërë edhe Rusia, e cila është dyta në botë për nga sasia që eksporton.


Ky është një lajm i keq për të gjitha ekonomitë e prekura nga turbullirat ekonomike, pasi do të duhet të përballen me çmime më të larta, në rast se anëtarët e OPEK-ut miratojnë uljen e prodhimit.


Që me fillimin e krizës financiare në vendete Perëndimore dhe, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila është një nga importuesit më të mëdhenj, çmimi i arit të zi ka pësuar vazhdimisht ulje, për të arritur në 32.4 dollarë për fuçi në muajin dhjetor 2008.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›