E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria sulmon shfrytëzimin pirat të kromit

Plani Katër ministri synojnë të shmangin punën e rrezikshme dhe aksidentet

Katër ministri u angazhuan dje të kryejnë kontrolle të përbashkëta në kompleksin minerar të Bulqizës, me qëllim që të shmangin kërkimin pirat të kromit dhe aksidentet e konfliktet që kanë shoqëruar këtë aktivitet gjatë dy viteve të fundit.

“Gjatë javëve dhe muajve të fundit kemi pasur në Bulqizë një situatë jonormale të aktivitetit minerar. Aktivitet në zona të rrezikshme, në disa raste aktivitete të kompanive të palicencuara, pra aktivitete të jashtëligjshme minerare, dhe në disa raste është konstatuar se nëpër miniera punojnë persona nën moshën e punës. Pra, një situatë problematike ndaj së cilës katër ministra kemi reaguar, për të vendosur rregull, me një urdhër të përbashkët të firmosur nga të gjithë ne”, deklaroi dje ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Ministria e Punës, Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme kanë premtuar të angazhojnë forcat e veta për të vendosur rregullin. Gjatë dy viteve të fundit, çmimi relativisht i lartë i çmimit të kromit në tregun ndërkombëtar ka bërë që banorët e Bulqizës, të organizuar ose jo, të kërkojnë krom në sipërfaqe apo në galeri të mbyllura për shkak të rrezikshmërisë së lartë, pasi në këtë mënyrë arrijnë të sigurojnë jetesën. Nga ana tjetër, mbi 20 kompani të licencuara për të shfrytëzuar zonën minerare kanë regjistruar një numër të pafund përplasjesh fizike. Aksidentet kanë qenë me dhjetëra. Në shumë raste, mungesa e kushteve të punës ka shkaktuar vdekjen e minatorëve. Miniera e Bulqizës nxjerr krom me pastërti deri në 65 për qind dhe një ton krom mund të shitet në Durrës përkundrejt çmimeve deri në 200 apo 300 dollarë. Në vitin 2008, çmimi pati arritur kulmin në rreth 500 dollarë. çmimet e larta kanë bërë që banorët e Bulqizës të angazhohen familjarisht për të kërkuar gurë me përmbajtje të lartë metali, të cilat i blejnë më pas tregtarët e shumicës. Në shumë raste edhe fëmijët janë përdorur për grumbullim. Plani i ministrive parashikon kryerjen e kontrolleve të shpeshta për të ndaluar shfrytëzimin ilegal të minierave.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›