Lindita Arapi, një përballje me diktaturën
Lindita Arapi, shkrimtare dhe gazetare që jeton prej disa vitesh në Gjermani, ka qenë e pranishme dje në Tiranë për të promovuar të parin botim të saj në prozë. Shkrimtarë, njëkohësisht miq të saj, janë takuar dje në “Friends book house” për një bisedë letrare mbi romanin e saj, “Vajzat me çelës në qafë”, botim i “Ideart”. Arapi ka lëvruar deri më tani poezinë (tre libra të tillë) dhe përpjekja e saj për të shkruar prozën është konsideruar një sfidë e shkrimtares. Romani i saj i parë kthehet në të shkuarën shqiptare, përmes portretizimit kryesisht të personazheve femra. “Ndonëse prej vitesh jetoj në Gjermani, Shqipëria jeton tek unë si një kujtim i madh. E kaluara është një temë që më ka shoqëruar gjatë gjithë kohës dhe doja ta përfundoja. Ndonëse ndiej tashmë një tërheqje nga gjinia e prozës, ajo ka qenë edhe një zgjedhje e cila më lejonte të shprehesha mbi këtë temë”, ka theksuar shkrimtarja. Historia merr fill me Lodjan, një vajzë e vogël që i takon të rritet në një familje kulakësh. Ajo do të vuajë vazhdimisht të shkuarën e paraardhësve të saj. “Një shoqëri që nuk përballet me të shkuarën e vet ka një të tashme të rënduar dhe populli shqiptar po e vuan këtë”, thotë Arapi. Ndonëse pranon se romani ka elementë autobiografikë, Arapi shprehet se ajo i ka përpunuar shumë artistikisht sa thuajse janë të dallueshme, ndërsa për sa i përket kohës kur janë vendosur ngjarjet, ajo theksoi se nuk ka synuar të bëjë histori, por të dokumentojë me mjete letrare.
#