Qeveria, tërësisht e angazhuar dhe ndjek me përpikmëri situatën
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Belortaja takon ekipin e Qendrës së Monitorimit dhe Mbrojtjes Civile të Bashkimit EvropianNë kuadër të koordinimit të menaxhimit të situatës së emergjencës së krijuar si pasojë e përmbytjeve në veri të vendit, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja zhvilloi dje një takim me ekipin e Qendrës së Monitorimit dhe Informimit për Mbrojtjen Civile të Bashkimit Evropian (MIC) i shoqëruar nga Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Helmut Lohan.Zëvendësministri i Jashtëm theksoi se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe në ndjekje të vazhdueshme të situatës në terren. Gjithashtu ai i informoi ekspertët e MIC mbi zhvillimet më të fundit si dhe për masat që janë marrë nga strukturat e pushtetit qendror dhe lokal, përfshirë edhe organizatat joqeveritare, në përballimin e gjendjes së krijuar si pasojë e përmbytjeve.Zëvendësministri Belortaja vuri në dukje se rëndësi të madhe në këtë fazë, merr menaxhimi dhe koordinimi i asistencës së ofruar nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Në këtë kontekst, ai i falënderoi ekspertët e ardhur në Tiranë për gatishmërinë dhe reagimin e shpejtë ndaj kërkesës së Qeverisë shqiptare për asistencë. Ekspertët e MIC, pasi paraqitën një përditësim të asistencës së ofruar deri në këtë moment, shprehën gatishmërinë e plotë për të ofruar ekspertizën më të mirë në menaxhimin e mbrojtjes civile dhe në organizimin sa më efikas të shpërndarjes së ndihmave për familjet e prekura nga përmbytjet. Ambasadori Lohan, vuri në dukje se ekipi i ekspertëve të MIC iu përgjigj në kohë tepër të shpejtë kërkesës së Qeverisë shqiptare dhe se ata do jenë plotësisht operativë në terren duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet shqiptare.Qendra e Monitorimit dhe Informimit për Mbrojtjen Civile të Bashkimit Evropian (MIC), e operuar nga Komisioni Evropian në Bruksel, është zemra operative e Mekanizmit Komunitar për Mbrojtjen Civile. Ajo është në gatishmëri 24/7 dhe është e pajisur me punonjës dhe ekspertë në detyrë që punojnë me turne. MIC i jep vendeve akses në platformën e BE për mbrojtjen civile. çdo vend i prekur nga fatkeqësi të mëdha natyrore – brenda apo jashtë BE – mund të kërkojë asistencë përmes MIC....