E Shtunë, 31 Tetor 2026

"1 qershori", Topi: Arsimim për të gjithë

Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi e dy vajzat Nada dhe Etida, priti në Pallatin e Brigadave një grup nxënësish të dalluar të disa prej shkollave të kryeqytetit, të shoqëruar nga prindër dhe mësues të tyre.

Në një atmosferë festive dhe miqësore, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë u përshëndetën nga afër me fëmijët, të cilët shprehnin emocionin dhe kënaqësinë e festës, u interesuan për mbarëvajtjen e tyre në mësime e në jetë, duke ndarë me bashkëbiseduesit më të vegjël mendime për dëshirat, ëndrrat dhe synimet e tyre për të ardhmen.

Në këtë ditë feste, Presidenti Topi përcolli për të gjithë fëmijët shqiptarë kudo ndodhen, urimet më të mira nëpërmjet një fjale përshëndetëse gjatë së cilës u shpreh: “Sa më të mirë t’i kemi fëmijët ne sot, sa më shumë ato të mësojnë e të studiojnë, sa më të sjellshëm të jenë ata, aq më shumë garanci do të kemi që Shqipëria të bëhet më e mirë, më e bukur, më e begatë, më e lumtur”.

“Ka fëmijë që e kanë shumë pasion shkollën, por jo të gjithë i kanë kushtet, sepse dikush e ka shtëpinë larg nga shkolla, dikush ende nuk i ka kushtet sikurse janë këtu në Tiranë, por ne të gjithë së bashku, sidomos institucionet e shtetit do të bëjnë ç’është e mundur që fëmijët kudo që të jenë të kenë kushte të përshtatshme për shkolla, të kenë sa më shumë libra, sepse ju të dashur fëmijë duhet t’i përkushtoheni shumë dijeve”

Festimet në Pallatin e Brigadave vijuan me një program të këndshëm artistik të përgatitur nga vetë fëmijët në shenjë mirënjohjeje për ftesën dhe pritjen nga Presidenti i Republikës. Në përfundim të tij, nxënësit e shkollës “Osman Myderizi” dhe “Sabaudin Gabrani” i dhuruan Kryetarit të Shtetit dhurata simbolike të përgatitura nga vetë ata. Ndërsa, Presidenti Topi në kujtim të Ditës së Fëmijëve dhe kremtimit të saj së bashku, i dhuroi fëmijëve të pranishëm librin e tij më të dashur në fëmijëri “Tregime të Moçme Shqiptare” të autorit Mitrush Kuteli dhe librin e autorit Antuan De Sent Ekzyperi “Princi i vogël”. Librat mbanin nënshkrimin e Presidentit të Republikës, si dhe urimet për Festën e 1 Qershorit dhe për suksese të mëtejshme në rrugën e dijes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›