E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme

Projekti i ri do të implementohet fillimisht në 9 zyrat më të mëdha në vend. Procedurat e reja që do të ndjekin qytetarët për kryerjen e shërbimeve të ndryshme

Laureta Rryçi

Tiranë - Ndryshon sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Burime pranë Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme shpjeguan dje se ky ndryshim po realizohet nëpërmjet projektit “LAMP” të Bankës Botërore, që konsiston në kompjuterizimin e sistemit dhe të të gjitha të dhënave. Të njëjtat burime pohuan se modernizimi do të bëjë që aplikimet të trajtohen në një kohë rekord dhe aksesi te të dhënat e ZRPP-së të jetë sa më i lehtë. Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria ka të regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme afër 4 milionë pasuri të paluajtshme. Të gjitha veprimet mbi këto pasuri aktualisht bëhen në mënyrë manuale. Për të kaluar në një fazë tjetër operimi, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në kuadër të projektit LAMP (Land Administration and Menagement Project), ka filluar hartimin dhe implementimin e një projekti për të vënë në funksion sistemin e kompjuterizuar. Ky projekt po realizohet me ndihmën e specialistëve të Lantmateriet (Autoriteti Suedez për Pasuritë e Paluajtshme). Qeveria ka ngritur që në vitin 1993 Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), e cila aktualisht varet nga Ministria e Drejtësisë, me një rrjet prej 36 zyrash rajonale.
Dokumentacioni
Sipas projektit të ri, dokumentacioni i pasurive të paluajtshme është i ndarë në dy grupime. Dokumentacioni që i përket ende sistemit të vjetër të pasurive të paluajtshme ka si kriter pronarin, ndërsa sistemi i ri i Pasurive të Paluajtshme ka si kriter Nr. e Pasurisë. Sistemi i ri i Regjistrimit të Pasurive ka në përbërje tre komponentë kryesorë: dokumentet ligjorë, kartelën e pasurisë dhe hartën treguese. Sipas specialistëve, sistemi i ri është shumë më fleksibël dhe më i menaxhueshëm. Shqipëria është e ndarë në zona kadastrale dhe aktualisht jo të gjitha këto zona kanë hyrë në sistemin e ri, pasi jo në të gjitha është realizuar regjistrimi fillestar i pasurive, por edhe zonat që kanë kaluar në sistemin e ri nuk e kanë të gjithë dokumentacionin të dixhitalizuar. Puna për dixhitalizimin e tyre ka arritur deri te dokumentacionet e vitit 2003. Prandaj LAMP ka në fokusin e vet regjistrimin fillestar të pasurive dhe përmirësimin e të dhënave dixhitale për të arritur deri në ditët e sotme dhe për të krijuar mundësinë e përditësimit të dixhitalizimit të dokumentacionit.
Implementimi
Në vijim të projektit LAMP, projekti në fjalë synon që të gjitha të dhënat dixhitale të mos kenë vlerë konsultative, por të bëhen mjet operimi, siç janë aktualisht dokumentet fizike. Projekti ka filluar të implementohet nga një grup pune i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, i përbërë nga tetë persona me menaxher drejtorin e IT-së në ZQRPP, Xhevahir Llakaj. Ndërsa grupi i punës i Lantmateriet përbëhet nga pesë persona, të udhëhequr nga Olof Martenson. Projekti i plotë synohet të realizohet në tre vjet dhe është i ndarë në katër faza. Faza e parë ka të bëjë me perceptimin e sistemit dhe ndërtimin e një minisistemi prototip. Faza e dytë, me testimin e sistemit të ndërtuar dhe me bërjen e modifikimeve të nevojshme për t’ia përshtatur atë sistemit shqiptar të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Faza e tretë, me implementimin e sistemit të kompjuterizuar fillimisht në 9 zyrat më të mëdha vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Faza e katërt, që do të shënojë përfundimin e projektit, ka të bëjë me vënien në punë të sistemit të kompjuterizuar dhe trajnimin e stafit që do të përdorë sistemin. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme e ka konsideruar këtë projekt si prioritar dhe ka angazhuar të gjithë resurset e veta për përfundimin me sukses të tij. Kryeregjistruesi Arben Qirjako ka vendosur në dispozicion të grupeve të punës të gjitha resurset njerëzore, financiare dhe fizike për ta përfunduar me sukses projektin e kompjuterizimit të sistemit.

Shërbimi, sistemi që reduktoi kohën e pritjes
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është zyrë shërbimi ndaj qytetarëve dhe duket se objektivi i drejtuesve ka qenë pikërisht përmirësimi i ofrimit të shërbimit. Për realizimin e këtij objektivi është standardizuar përfundimisht aplikimi elektronik në dhjetë ZVRPP-të e qyteteve më të mëdha të vendit. Kjo ka çuar në eliminimin e plotë të radhëve dhe konkretisht një aplikim nga një qytetar në këto zyra zgjat vetëm 15 minuta. Kohëzgjatja e përpunimit të një praktike deri në dhënien e një përgjigjeje ndaj qytetarit është shkurtuar ndjeshëm dhe tashmë zgjat nga 24 orë për shërbimin më të thjeshtë deri në 30 ditë për shërbimin më të ndërlikuar. Prioritet i është dhënë biznesit dhe veçanërisht marrëdhënieve me bankat, të cilat tani arrijnë të marrin një shërbim nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme brenda 24 orëve. Përmirësimi i shërbimit në këtë drejtim është shoqëruar me rritjen e aftësive përpunuese të sistemit. Kjo tregohet edhe nga shifra e aplikimeve të përpunuara në shtatë muajt e fundit të vitit të kaluar. Sipas këtyre shifrave, nga të gjitha Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që shkon në afro 330 mijë aplikime që kanë marrë përgjigje nga ana e zyrave, ndërkohë që deri në fund të muajit gusht ky numër pritet të arrijë në afro 380 mijë. Natyrshëm që numrin më të madh të këtyre përgjigjeve e ka Tirana, me rreth 80 mijë të tilla. Më pas vijnë Durrësi, Vlora dhe qytete të tjera. Shifrat tregojnë se sistemi tashmë ka aftësi të mëdha të përpunimit të praktikave dhe vetëm në Tiranë mund të flasim për rreth 400 të tilla në ditë. Punonjësit në një ditë përpunojnë mesatarisht 7.9 aplikime në ditë.

Ndryshimet që sjell sistemi i ri

Sistemi i ri i pasurive të paluajtshme, i cili ka si kriter numrin e pasurisë

Sistemi i ri i regjistrimit të pasurive ka në përbërje tre komponentë kryesorë: dokumentet ligjore, kartelën e pasurisë dhe hartën treguese

Sistemi i ri është shumë më fleksibël dhe më i menaxhueshëm

Hipoteka në shifra

330 mijë
aplikime kanë marrë përgjigje nga ana e zyrave për një periudhë 7-mujore gjatë 2008-s

287
është numri i kërkesave për fshirje në të gjithë vendin

88
kërkesa për fshirje kanë mbërritur pranë Zyrës Qendrore

65
kërkesa kanë marrë përgjigje zyrtare nga kryeregjistruesi nëse do të fshihen

10 mijë pasuri të paluajtshme janë në proces regjistrimi fillestar vetëm në Tiranë

120 mijë
pasuri të paluajtshme në qytetet kryesore janë për regjistrim fillestar

135
persona që punonin nëpër zyrat e hipotekave në vend kanë humbur vendin e punës për abuzime me regjistrimin e pronës

105
punonjës që janë aktualisht nëpër zyrat e hipotekave kanë marrë vërejtje deri në paralajmërim për largim nga puna

25
dosje janë dërguar në prokurori për ndjekje penale nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

50
dosje u përgatitën nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme gjatë vitit 2008 për t’u dërguar në prokurori për ndjekje penale

23 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›