E Diel, 1 Nëntor 2026

Krim misterioz në Pojan, vriten dy veta

Policia e Korçës nuk përcakton dot motivet e vrasjes, pasi viktimat nuk kishin probleme

Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur në rrethana misterioze në fshatin Pojan të Korçës, duke shënuar një tjetër rast tronditës të krimit në këtë zonë, pas vrasjes në magazinë të një të moshuari në muajin mars të këtij viti. Të dielën fshati është tronditur nga një vrasje e dyfishtë, e cila është mbuluar me mister, ku dy persona janë ekzekutuar me armë zjarri në një moment kur nuk ka pasur dëshmitarë, për shkak të ndeshjes finale të botërorit. Policia ka thënë se në rrethana misterioze dy banorë të fshatit Pojan në rrethin e Korçës janë vrarë me armë automatike nga një breshëri plumbash, të cilat janë derdhur nga jashtë një dyqani në drejtim të viktimave që ndodheshin brenda tij. Krimi i rëndë ka lënë të vdekur 32-vjeçarin Altin Liçolli dhe mikun e tij 42-vjeçar Arben Mica. Në një moment të studiuar mirë, kur të gjithë e kanë pasur vëmendjen te ndeshja e futbollit, vrasësi ka hapur zjarr në drejtim të dyqanit të 32-vjeçarit Altin Liçolli, i cili ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa i plagosur rëndë me katër plumba në trup ka mbetur shoku i tij, Arben Mica. Ky i fundit është transportuar drejt spitalit civil, ku edhe ka ndërruar jetë. Mësohet se 43-vjeçari është ndodhur rastësisht në dyqanin ushqimor të mikut të vet për të pirë një gotë raki.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21.45, kur një person ende i paidentifikuar prej policisë ka vrarë me automatik pronarin e dyqanit ushqimor dhe shokun me të cilin po rrinte në ato momente në një mungesë totale vëmendjeje. Kanë qenë të shtënat që kanë vënë në alarm banorët e fshatit, të cilët kur kanë shkuar në dyqanin e viktimës e kanë gjetur të shtrirë, ndërsa polici i komunës është përpjekur t’i vijë në ndihmë të plagosurit rëndë, i cili në mesnatë ka vdekur në spital.

Altin Liçolli, 32 vjeç, baba i tre fëmijëve, ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga breshëria e automatikut. Plumbat kanë rënë edhe mbi shokun e tij Arben Mica, baba i një fëmije. Forca të shumta policore kanë mbajtur të rrethuar fshatin Pojan, por pa mundur të gjejë gjurmë të autorit.
Ngjarja është mbuluar me mister për sa i përket motivit, pasi të dy viktimat nuk kishin pasur konflikte në fshat, duke bërë që të mbetet enigmë arsyeja që ka çuar drejt krimit autorin. Policia është vënë menjëherë në kërkim të autorit të krimit të dyfishtë, por nuk ka arritur ta identifikojë atë.

Sipas policisë, shkaku i kësaj vrasje të dyfishtë si rrallëherë mbetet i rrethuar nga një mister i madh, ndërkohë që mendohet se vrasja ka qenë e studiuar mirë, pasi autori ka zgjedhur momentin kur nuk ka pasur asnjë dëshmitar okular. Ai ka përfituar nga rënia e errësirës dhe mungesa e njerëzve në rrugë dhe është larguar pa gjurmë.

Beqir Nexhipi, kryeplaku i fshatit Pojan, thotë se 32-vjeçari Liçolli e kishte shok viktimën tjetër, 42-vjeçarin Arben Mica. Ata po pinin së bashku raki, ndërsa shikonin ndeshjen e futbollit në dyqan, kur nga jashtë lokalit kanë ardhur breshëritë e automatikut, që lanë fillimisht të vrarë në vend pronarin e dyqanit. Sipas kryeplakut, as Liçolli dhe as Mica nuk njiheshin si persona problematikë, madje i dyti ishte njeri hallexhi, që me vështirësi mbante me bukë familjen.

Motivi i këtij krimi nuk është zbardhur nga policia, edhe pse janë marrë në pyetje disa persona jo si të dyshuar, por si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Nga ana e policisë janë shoqëruar të paktën 20 banorë të fshatit. Për faktin se gjatë gjithë natës policia ka punuar për të zbuluar autorin dhe kjo ka qenë e pamundur, është vënë një shpërblim prej 3 milionë lekësh të reja për çdo informacion që do të çonte në identifikimin e vrasësit.

Policia ka ngritur paraprakisht disa pista, si ajo e ndonjë konflikti shumë të vjetër, përplasje për borxhe apo çështje personale. Megjithatë asnjë nga këto pista nuk është zbardhur plotësisht për të ngushtuar rrezen mbi arsyen e vërtetë dhe autorësinë e vrasjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›