E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juncker:Në shtator ndihma për Greqinë


Greqia mund të përfitojë në shtator, paketën e dytë të ndihmës prej miliarda eurosh nga paketa për shpëtimin e shteteve të zonës së euros. Programi grek i kursimeve dhe reformave është impresionues dhe i ka tejkaluar pritjet e ministrave të financave, deklaroi udhëheqësi i grupit të euros, kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker, në Bruksel. Për këtë arsye sipas tij, pritet që sasia e dytë e kredisë në vlerë totale prej 110 miliardë eurosh të jepet në shtator. Në maj të këtij viti Greqia mori 14,5 miliardë euro prej vendeve të tjera të zonës së euros dhe FMN-së. Ndërkaq Bashkimi Europian ka marrë masa të reja për deficitet buxhetore. Vendet anëtare të BE-së, kanë rënë dakord për masa të rrepta ndëshkuese për vendet që kanë deficit të thellë buxhetor. Në mesin e masave të parapara është dhe përgjysmimi i mbështetjes financiare për sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Masat u bënë publike të hënën nga presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›