E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Emigrantët po kthehen, po gjejnë vendin e duhur për investime

Kryeministri Sali Berisha foli gjatë në mbledhjen e qeverisë për rritjen e eksporteve.

Eksportet janë rritur si kurrë më parë në historinë e vendit. Eksportet shqiptare në 8-mujorin e vitit 2011, krahasuar me një vit më parë, janë rritur me 25 miliard lekë, apo mbi 250 milion dollarë. Kjo është një rritje shumë e rëndësishme, e cila shpreh dinamizmin e admirueshëm të ekonomisë shqiptare. Rritja e eksporteve është një nga treguesit më thelbësorë të rritjes së konkurrueshmërisë në këtë ekonomi. Rritja e eksporteve shoqërohet me rritjen e punësimit. Fermerët shqiptarë po përballen në mënyrë të suksesshme me fermerët e tjerë në treg. Fundi i këtij viti shënon trefishimin e eksporteve në një hark kohor më pak se gjashtëvjeçar. Kemi të bëjmë me një dëshmi tjetër madhore të suksesit të modelit tonë ekonomik. Të realizosh trefishim eksportesh në një kohë kur vendet e tjera kanë rënë masivisht në recesion, kjo është një arritje e jashtëzakonshme, tha Berisha.

Ky model funksionon, ky model është i qëndrueshëm, ky model garanton dhe mbron vendin nga recesioni dhe kriza e borxheve që ka përfshirë një seri vendesh të mëdha e të vogla në Europë. Ne duhet të bëjmë gjithçka për qëndrimet më transparente dhe më pak burokratike ndaj biznesit.  Katër vite më parë kur filloi kriza kishte debat se përse nuk merrnim masa, në fakt ne kishim marrë masat më të fuqishme anti- krizë. Pati një përpjekje të padenjë për të dëmtuar bankat me një propagandë ogurzezë. Pati përpjekje absurde kundër rritjes së rrogave e pensioneve. Ne do bëjmë përpjekjet më të mëdha për përsosjen e këtij modeli, vijoi më tej Berisha.

Kryeministri premtoi ngritjen e një portali për dokumentet e biznesit.

Ne do ndërtojmë me shpejtësi portalin, në të cilin çdo biznesmen, njësoj si në pasqyrë, të mund të ndjekë të gjithë udhën e dokumentit të tij, të monitorojë rrugën, stacionet, vendimet që merren mbi dokumentin e tij. Kjo do të thotë çlirim i plotë nga labirintet e burokracisë. Ky portal do jetë një nga realitetet më të suksesshme, tha Berisha.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se kriza e borxheve do vijojë, por jo në Shqipëri. Ai u shpreh entuziast se emigrantët po kthehen në Shqipëri për të investuar.

Kriza e borxheve do vazhdojë, nuk është një krizë afatshkurtër. Kjo krizë është një akumulim i një praktike ligjore prej disa dekadash. Tani rezulton se në tryezë është shpenzuar shumë më tepër sesa duhej shpenzuar. Kriza e borxheve është rreth nesh, le ta shndërrojmë në një avantazh. Po lexoja shkrime kushtuar emigrantëve shqiptarë në Itali e në Greqi. Mijëra emigrantë po kthehen në Shqipëri sepse e cilësojnë ambientin shumë të përshtatshëm. Ne do bëjmë gjithçka që këta vëllezër që vijnë, ato kursime që kanë ti shndërrojnë në sipërmarrje të suksesshme. Prandaj ne do krijojmë portalin më transparent të marrëdhënieve administratë- biznes, tha Berisha.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›