Qeveria ul me 20 milionë lekë fondet buxhetore në Ministrinë e Punës
Qeveria ka ulur me 20 milionë lekë fondet buxhetore në disa programe në Ministrinë e Punës. Dje, Këshilli i Ministrave miratoi rishpërndarjen e fondeve buxhetore në Ministrinë e Punës. Kështu, në programin “Tregu i punës”, Gr.25, Tit.10 550, Kap.1, Art 600, “Pagat e punonjësve”, qeveria ka vendosur t’i shtohet fondi 18 milionë lekë dhe në Art.601, “Sigurime shoqërore” t’i shtohet fondi 2 milionë lekë. Ndërsa në programin “Mbrojtja sociale”, Gr.25, Tit. 10 430, Kap.1, Art. 600, “Pagat e punonjësve”, qeveria ka vendosur t’i pakësohet 4 milionë lekë, në programin “Planifikim, menaxhim&administrim”, Gr.25, Tit. 01 110, Kap.1, Art.600, “Pagat e punonjësve”, t’i pakësohet fondi 8 milionë lekë dhe në Art.601, “Sigurime shoqërore” t’i pakësohet fondi 2 milionë lekë dhe në programin “Inspektimi në punë”, Gr.25, Tit. 04170, kap.1, Art 600, “Pagat e punonjësve”, t’i pakësohet fondi 6 milionë lekë.
Mungesa e tregjeve ushqimore në 6 njësi bashkiake
Në një pjesë të madhe të kryeqytetit vihet re mungesa e tregjeve ushqimore, ku mallrat tregtohen jashtë kushteve standarde. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës disa muaj më parë miratoi lejimin e 6 tregjeve në 6 njësi bashkiake. Por, punimet për ndërtimin e tregjeve nuk kanë filluar ende, ndërsa banorët e këtyre njësive tregtojnë dhe blejnë në kushte jashtë standardeve higjieno-sanitare. Ndërtimi i tregeve është parashikuar të bëhët në Njësitë Nr. 1, Nr.3, Nr.4, Nr.7, Nr. 8 dhe Nr. 11. Burime nga njësitë bashkiake bëjnë të ditur se ndërtimi i tregjeve pritet të fillojë së shpejti, ndërsa qytetarët ankohen për kushtet në të cilat blejnë ushqimet. Madje, autoritetet shëndetësore kanë kryer inspektime të vazhdueshme dhe kanë konstatuar se frutat dhe perimet tregtohen në rrugë, ndërsa produktet e qumështit tregtohen të hapura dhe të ekspozuara ndaj ndotjes së ambientit.
DSHP: ”Të merren masa ndaj shitësve ambulatorë pranë shkollave”
Drejtoria e Shëndetit Publik të Tiranës u ka bërë thirrje nxënësve dhe prindërve të mos konsumojnë ushqime të hapura nga shitësit ambulatorë në ambientet pranë shkollave. Shefja e Shërbimit të Edukimit dhe Promocionit të Shëndetit pranë DSHP-së së Tiranës, Vojsava Sulçe, është shprehur se janë kryer inspektime të vazhdueshme pranë shkollave për shitjen e ushqimeve dhe ka rezultuar se ushqimet nuk përmbushin kushtet për t’u konsumuar. Sipas saj, është dërguar një informacion pranë Policisë Bashkiake duke kërkuar marrjen e masave përkatëse.
Urdhri i Mjekut: ”Drejtësia, masa ndaj ushtruesve të dhunës ndaj mjekëve”
Institucioni i Urdhrit të Mjekut ka kërkuar që drejtësia të marrë masa ndaj atyre që ushtrojnë dhunë ndaj mjekëve. Dhuna ndaj mjekëve është bërë një fenomen i zakonshëm, i cili duhet parandaluar nga sistemi i drejtësisë. Zëdhënësi për shtyp i Urdhrit të Mjekut, njëkohësisht dhe Presidenti i Urdhrit të Mjekut për Tiranën, sqaroi se mjekët ndihen të pasigurt në punën e tyre, për shkak të rasteve të dhunës nga të afërm të pacientëve.
Miratohet rregullorja “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar”
Qeveria miratoi dje rregulloren “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar. Me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e kësaj rregulloreje, zbatimi i së cilës do të jetë një ndihmë e madhe për personat me aftësi të kufizuara. Këta të fundit kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për krijimin e hapësirave që mundësojnë lëvizjen e tyre në komunitet.
20 Nentor 2008