E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrumbohet makina e biznesmenes, hetime për vënie tritoli



VLORË – Pas grabitjes së makinës së kryetarit të Gjykatës së Vlorës, mjeti në pronësinë e një sipërmarrëseje të njohur në qytetin bregdetar është shkrumbuar në orët e vona të së martës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se është djegur tërësisht makina tip benz, me targa VL 2692 C, në pronësi të shtetases Memeka Xhemali. Banorë të lagjes ku ishte parkuar mjeti, si dhe kalimtarë të tjerë, kanë vënë re se shpërthimi ka ndodhur në një makinë parkuar në rrugë. Flakët kanë shkrumbuar brenda pak minutash mjetin në pronësi të Xhemalit, e cila është sipërmarrëse e njohur në qytetin e Vlorës. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse me mjetet e tyre, por megjithë ndërhyrjen e bërë për fikjen e flakëve nuk kanë mundur të shpëtojnë mjetin. Po ashtu, në vendngjarje kanë mbërritur ekspertë të policisë, të cilët kanë këqyrur vendin e ngjarjes si dhe kanë kryer ekspertizat e nevojshme. Ekspertët nuk kanë arritur në një përfundim të saktë nëse në makinë është vendosur lëndë plasëse apo është përfshirë në flakë për shkaqe që ende nuk dihen. Pas ekspertizës, policia ka marrë në pyetje pronaren e mjetit, e cila ka deklaruar se makinën e kishte parkuar normalisht si çdo natë tjetër. Ajo ka pohuar se nuk kishte idenë se si ishte përfshirë në flakë mjeti i saj dhe cilat kanë qenë shkaqet e shpërthimit të makinës. “Unë nuk kam hasmëri me askënd, nuk i kam borxh askujt dhe nuk kam debatuar me askënd”, - është shprehur Xhemali në polici. Ndërkohë, policia po punon për të nxjerrë shkaqet e shpërthimit dhe djegies së mjetit, nëse në makinë është vendosur lëndë plasëse nga persona ende të panjohur apo mjeti ka marrë flakë për shkaqe që ende nuk dihen e më pas ka ndodhur shpërthimi.

Trafiku klandestin shfaqet në Korçë, arrestohet 25-vjeçari

ERSEKË – Pas një sërë tentativash për trafik klandestinësh në Sarandë dhe Gjirokastër, ky fenomen rishfaqet në Qarkun e Korçës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bënë të ditur se kanë ndaluar një 25-vjeçar, pasi akuzohet për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”. Sipas tyre, shtetasi Mikel Hasanaga është kapur në flagrancë, duke tentuar të kalonte ilegalisht 4 qytetarë për në Greqi. Burime zyrtare të kësaj policie shprehen se Hasanaga, nga fshati Veseshtë i Skraparit, u ndalua mbrëmjen e së martës duke ndihmuar 4 qytetarë, të cilët donin të kalonin në mënyrë ilegale drejt Greqisë. Policia tha se orvatja për kalimin e kufirit u krye në kufirin tokësor në rrethin e Kolonjës dhe se nga hetimet e para doli se Hasanaga ndihmonte emigracionin klandestin për qëllime fitimi. Katër ditë më parë, policia e Korçës ndaloi edhe një shtetas tjetër, i cili kishte kryer të njëjtën vepër penale. Për të ndaluar kalimet ilegale mes dy vendeve, drejtues të policisë kufitare të rajonit të Korçës dhe atij të Selanikut (Greqi) zhvilluan një takim disa ditë më parë, ku ndër të tjera vendosën të thellonin bashkëpunimin në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore. Trafikanët kanë përdorur territoret e Sarandës dhe të Gjirokastrës për të kaluar klandestinë drejt Greqisë, por tashmë po aktivizohen edhe linjat e tjera përmes Kolonjës dhe Korçës.

20 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›