E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femrat në politikë, zëvendësministrja e Punës zbardh skemën e aplikimit

Zaçe: “Pushteti vendor do të jetë fokusi kryesor për angazhimin e grave në politikë”. Si do të bëhet përfshirja e grave në listat e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive

Jonida Tashi

Fushata e ardhshme elektorale pritet të jetë një garë e fortë politike jo vetëm për kandidatët meshkuj, por edhe për ato femra. Ndryshe nga vitet e kaluara, ku uzurpuesit e kësaj fushate ishin pothuajse vetëm meshkujt, tashmë femrat jo vetëm që do të kandidojnë në një numër më të madh, por atyre do t’u duhet që t’i masin mirë forcat e tyre me seksin e kundërt. Megjithëse jo shumë të preferuara nga klasa politike mashkullore, Kodi i ri Zgjedhor i përfshin ligjërisht femrat në listat e kandidatëve për deputete të partive politike. Miratimi i kuotës gjinore në masën 30 për qind, të alternuar, në Kodin Zgjedhor është cilësuar nga zëvendësministrja e Punës, Marjeta Zaçe, si një arritje e politikës shqiptare. Madje, në këtë kod është përcaktuar edhe se si do të bëhet përfshirja e grave në listat e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive.
Kodi
Neni 67 i Kodit të sapomiratuar Zgjedhor përcakton që për çdo zonë zgjedhore të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Ndërsa për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, një në çdo tre emra në listë duhet t’i përkasë secilës gjini. Mospërmbushja e njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen në lidhje me përbërjen e listës shumemërore për zgjedhjet në Kuvend, sjell si rrjedhojë refuzimin e listës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Tashmë, pas miratimit të përfaqësimit të grave në politikë në masën 30 për qind, edhe Shqipëria, si të gjitha vendet e rajonit, por edhe të Europës, do të bëjë të mundur të përmirësojë pikën më të dobët, përfaqësimin gjinor, për të cilën kritikohej në çdo raport. Tendenca për pjesëmarrjen e grave në poste të rëndësishme në qeverisjen e shtetit është një tendencë e re që ka marrë vrull vitet e fundit në shumë vende të botës.
Reagimi
Zëvendësministrja e Punës, Marjeta Zaçe, ka reaguar dje për miratimin e Kodit Zgjedhor dhe renditjen e Shqipërisë në Raportin e Forumit Botëror Ekonomik në fushën e barazisë gjinore. Duke përshëndetur vendimin e Parlamentit, për miratimin e kuotës gjinore në Kodin Zgjedhor, jo vetëm si një femër në post drejtues, por edhe në emër të institucionit që ajo drejton, ajo e ka konsideruar miratimin e kuotës gjinore si një arritje jo vetëm për politikën, por njëherazi edhe për çështjen e barazisë gjinore. “Me këtë ligj, më së fundi u plotësua i gjithë kuadri ligjor që bën të mundur realizimin e një përfaqësimi më të madh, veçanërisht të gruas në politikë dhe vendimmarrje”, - u shpreh numri dy i Ministrisë së Punës në konferencën e organizuar në ambientet e kësaj Ministrie për këtë çështje.
Ligji
Ligji “Për barazi ligjore” u miratua në muajin korrik të këtij viti. Ky ligj, ndër të tjera, solli të re futjen e kuotës, pjesëmarrjes së grave, në masën 30 për qind në të gjitha nivelet e vendimarrjes, masë kjo që ishte e detyruar të sanksionohej edhe në Kodin Zgjedhor. Me dy ligjet e miratuara nga Parlamenti, sipas Marjeta Zaçes, çështja e barazisë gjinore dhe pjesëmarrja e grave do të ndryshojnë në thelb të saj. Sakaq, zëvendësministrja e Punës ka bërë të ditur se tashmë kanë përfunduar të gjitha instrumentet e duhura ligjore dhe programet politike, të cilat do të bëjnë të mundur ndryshimin që aspirohet. Por edhe Strategjia e miratuar në fund të vitit 2007, me tetë objektivat e saj strategjike të shtrira në tetë fushat e jetës, kishte parashikuar edhe ndryshimet e nevojshme ligjore. Ky proces, sipas Zaçes, nuk ishte i lehtë, sepse, si fillim, ishin proceset kushtetuese që hapën rrugë për ndryshime në ligjin zgjedhor që kishte të bënte direkt me sistemin zgjedhor. “Nëse do të vazhdonim me sistemin e mëparshëm, atë të përzier, do ta kishim shumë të vështirë të realizonim në praktikë futjen e kuotave gjinore”, - pohoi zëvendësministrja.
Fokusi
Pushteti vendor do të jetë fokusi kryesor për angazhimin e femrave në politikë. Ky fakt është pohuar dje nga Marjeta Zaçe, e cila ka theksuar se pushteti vendor është zgjedhur si prioritet për arsye se ndryshimi duhet të fillojë që në bazë. Më pas, sipas Zaçes, ky ndryshim do të vijë duke u konsoliduar dhe duke u përmirësuar në vazhdimësi në vitet e ardhshme. Gjithashtu, zëvendësministrja Zaçe ka kundërshtuar shifrat e publikuara nga raporti më i fundit i Forumit Botëror Ekonomik, konkluzioni i të cilit ishte se barazia gjinore në Shqipëri ka pësuar një rënie, pra, se boshllëqet në realizimin e barazisë gjinore në shoqëri janë më të mëdha. Sipas saj, raporti i referohet tre viteve të fundit - 2006, 2007, 2008 - dhe ka trajtuar katër fusha kryesore: gruan në arsim, në punësim, në sistemin shëndetësor dhe në vendimmarrje. Në uljen e Shqipërisë në renditje ka ndikuar, sipas Zaçes, përfaqësimi i gruas në vendimmarrje, që, nga ana e tij, përbëhet nga tre tregues: pjesëmarrja e gruas në Parlament, në vendimmarrje dhe si udhëheqëse shteti. Për këtë, ajo ka sqaruar: “Të tre këta tregues, për fat të keq, Shqipëria i ka negativë, sepse përfaqësimi i grave në Parlamentin e Shqipërisë është në shifrën 7.1 për qind. Në treguesin “gratë në vendimmarrje”, raporti nuk ka reflektuar pjesëmarrjen e ministres së dytë në qeveri, e cila e dyfishon përqindjen dhe përmirëson renditjen”. Por megjithë kundërshtimet për disa shifra të këtij raporti, Zaçe ka pranuar se këto janë shifra që tregojnë se Shqipërisë i duhet të bëjë hapa para. Ndërsa përsa i përket treguesit të tretë, gratë udhëheqëse, numri dy i Ministrisë së Punës ka pohuar se dihet që jo vetëm Shqipëria, por edhe shtete të tjera, kanë në drejtim të shtetit më së shumti burra.

Faktorët që kanë ndikuar në uljen e Shqipërisë në renditjen për barazinë gjinore

Sipas znj. Marjeta Zaçe, faktorët që kanë ndikuar në uljen disa shkallë të Shqipërisë në renditjen e bërë nga FBE janë:
pjesëmarrja e grave në vendimmarrje;
fakti se Forumi në vitin 2006 ka analizuar 115 shtete dhe gjatë dy viteve në vazhdim janë shtuar edhe 15 shtete të tjera, disa prej të cilave edhe vende anëtare të BE-së.

NENI 67

Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive

5. Për çdo zonë zgjedhore të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, një në çdo tre emra në listë duhet t’i përkasë secilës gjini.

5. Mospërmbushja e njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen në lidhje me përbërjen e listës shumemërore për zgjedhjet në Kuvend sjell si rrjedhojë refuzimin e listës nga KQZ-ja.

20 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›