E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grada “Doktor”, gjeologët e Shërbimit Gjeologjik kundër vendimit të qeverisë

Reagimi: “Qeveria na ka ndryshuar rregullat e lojës në mes të garës” . Specialistët kërkojnë ndërhyrjen e ministrit të Arsimit për zgjidhjen e problemit

Jonida Tashi

Inxhinierë-gjeologët e Shërbimit Gjeologjik kundërshtojnë vendimin e qeverisë për mbrojtjen e diplomës për gradën “Doktor”. Sipas tyre, kriteret e reja të vendosura nga qeveria për marrjen e kësaj grade ndryshojnë rregullat e lojës në mes të garës. Shkronja “b”, në pikën 5 të vendimit të qeverisë, datë 5.12.2007, për hapjen e programeve të studimeve të doktoratës, e cila përcakton që kandidati për gradën “Doktor” duhet të ketë botuar, si autor i parë, së paku tre artikuj shkencorë në revista shkencore, ku njëri prej artikujve duhet të jetë botuar ose pranuar për botim në një revistë shkencore ndërkombëtare, me bord editorial, është pika kyçe që u rrezikon atyre jo vetëm përfundimin e studimeve të nisura, por hedh poshtë njëkohësisht edhe punën e tyre të ndërtuar prej vitesh.
Kërkesa
Të gjendur përballë këtij fakti, disa specialistë inxhinierë-gjeologë në Instituin Gjeologjik kërkojnë që të trajtohen sipas shkronjës “a”, të pikës 5 të vendimit. Shkronja “a”, në pikën 5 të vendimit të qeverisë, përcakton që gjatë periudhës së studimeve të doktoratës, përpara paraqitjes në provimin e doktoratës, studenti duhet të ketë realizuar, së paku, tre referime ose paraqitje (poster) shkencore, nga të cilat një referim ose paraqitje duhet të jetë mbajtur në një veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres) i pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe i botuar në “Proceedings), të indeksuar me kod ISBN-je. Ky kusht është plotësuar nga specialistët e Institutit Gjeologjik, të cilët studimet për mbrojtjen e gradës “Doktor” i kanë nisur që në vitin 2005 dhe sipas ligjit të mëparshëm. Shqetësimin e tyre këta specialistë me mbi 30 vjet përvojë pune ia kanë paraqitur edhe ministrit të Arsimit, Fatos Beja, nëpërmjet një letre dërguar në datën 30 tetor të këtij viti nga i cili nuk kanë marrë ende një përgjigje.
Paradoksi
Paradoksi në studimet që ata kanë nisur që para tre vitesh nuk qëndron vetëm në faktin që ata i kanë nisur studimet sipas ligjit të mëparshëm, por edhe se kanë paguar edhe taksën e regjistrimit, ndërkohë që pothuajse në përfundim të studimeve ata njihen me rregullat e reja. Këta specialistë janë regjistruar në SHPU në tetor të vitit 2003. Dy vjet më pas, në qershor të vitit 2005, ata kanë mbrojtur mikrotezën (niveli master). Pas kësaj, në korrik të vitit 2005, ata janë regjistruar në sekretarinë e Universitetit Politeknik duke paguar taksën prej 5 mijë lekësh për doktoraturën dhe dorëzuar dosjen me dokumentet e doktoraturës. Ndërsa shqyrtimi i dosjes dhe miratimi i temës së doktoraturës në Departamentin e Shkencave të Tokës, pranë Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minerave, është bërë në datën 20 janar të vitit 2006 ose 6 muaj me vonesë. “Kjo datë miratimi në departament që konsiderohet edhe datë regjistrimi për doktoraturën, sipas Vendimit Nr.864, datë 05.2.2007, ndryshuar në datën 18.06.2008, na penalizon për 20 ditë vonesë në afatin e regjistrimit dhe na detyron të zbatojmë shkronjën “b” dhe të mos përfitojmë nga lehtësitë e shkronjës “a” , që janë të domosdoshme për ne”, - shkruajnë specialistët në letrën dërguar Bejës. Sipas tyre, botimi në një revistë prestigjioze ndërkombëtare me bord editorial, gjë që vetëm si procedurë kërkon të paktën tre vjet kohë, për moshën që ata kanë mbi 50 vjeç është një sfidë thuajse e pakalueshme. Këtë inxhinerët gjeologë të Shërbimit Gjeologjik e argumentojnë me faktin se në fushën e gjeologjisë mund të ketë 2-3 veta që kanë botime të këtij niveli dhe ato kryesisht si autorë të dytë në bashkëpunim me të huaj.

Kërkesat e specialistëve dërguar ministrit të Arsimit

Meqenëse miratimi në departament na është vonuar padrejtësisht me gjashtë muaj;
Meqenëse në dhjetor të vitit 2003 kemi hyrë në një proces shkencor dhe kohor (2 vjet SH.P.U + 3 vjet doktoraturë) me një bazë ligjore të vitit 2003 dhe këto rregulla na ndryshohen gjatë rrugës në mënyrë penalizuese;
Meqenëse nga data 01.08.2007 deri në 31.07.2007 për katër muaj procesi ka qenë i bllokuar nga MASH-i (Shkresa Nr.5533, datë 31.07.2007) dhe neve nuk na është dhënë mundësia për t’i depozituar doktoraturat në departament;
Meqenëse tre veta të grupit tonë në kushte të barabarta me ne kanë përfunduar procesin;
Meqenëse materialin e doktoraturës e kemi të përfunduar, kemi bërë 2 prezantime (parambrojtje) në departament dhe jemi të gatshëm ta mbrojmë atë brenda vitit 2008;
Meqenëse koha që ne kemi pasur në dispozicion sipas vendimit të datës 18.06.2008 vetëm prej gjashtë muajsh për të përmbushur kërkesën e shkronjës “b” është krejt e pamjaftueshme për një punim të tillë, në një kohë kur ne plotësojmë të gjitha kriteret e tjera, kërkojmë mbështetjen dhe ndërhyrjen tuaj që të trajtohemi sipas shkronjës “a”.

Shkronja “b” e vendimit të ri që kundërshtohet nga specialistët
Gjatë periudhës së studimeve të doktoratës, përpara paraqitjes në provimin e doktoratës, studenti duhet të ketë plotësuar kushtet e mëposhtme:
b) të ketë botuar, si autor i parë, së paku tre artikuj shkencorë në revista shkencore. Së paku, njëri prej artikujve duhet të jetë botuar ose pranuar për botim në një revistë shkencore ndërkombëtare, me bord editorial;

Shkronja “a” e vendimit që ata kërkojnë të trajtohen
Gjatë periudhës së studimeve të doktoratës, përpara paraqitjes në provimin e doktoratës, studenti duhet të ketë plotësuar kushtet e mëposhtme:
a) të ketë realizuar, së paku, tre referime ose paraqitje (poster) shkencore, nga të cilat një referim ose paraqitje duhet të jetë mbajtur në një veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres) i pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe i botuar në “Proceedings), të indeksuar me kod ISBN-je;

20 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›