Defekti lë gjysmën e Shkodrës pa energji elektrike
SHKODËR - Gjysma e qytetit të Shkodrës ka mbetur pa energji elektrike pre tri ditësh. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shkak i errësirës për mijëra qytetarë është bërë një defekt në linjën kryesore të shpërndarjes së rrymës në qytet. Mungesa e energjisë ka sjellë edhe mungesën e ujit të pijshëm në disa lagje të qytetit, për shkak se sistemi i pompimit nuk funksion pa energji. Drejtoria e OSSH-së po punon për riparimin e defektit në linjën e tensionit të lartë. Ndërkohë që qytetarët shkodranë kanë reaguar, duke u kërkuar drejtuesve rajonalë të OSSH-së rikthimin e energjisë elektrike.
Vdes kalimtarja, e përplasi makina në mes të rrugës
FIER - Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në aksin rrugor Fier-Fermë Çlirim në rrethin e Fierit, me pasoje vdekjen e një 60-vjeçareje. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së martës, në vendin e njohur si ish-Fabrika e Tullave. Sipas burimeve të policisë, viktimë është shtetasja Mahmude Vrenozi, e cila është goditur nga një automjet tip “Benz” me targa FR 0625 B, në momentin që po kalonte rrugën. Si rezultat i kësaj përplasjeje ajo ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe tentativa për ta nisur në spital ka qenë e kotë. E aksidentuara ishte banore e fshatit Radostinë të Fierit. Pas ngjarjes mësohet se policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, i cili po hetohet për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit”.
20 Nentor 2008