E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangoset 30-vjeçari, 10 vjet më parë masakroi taksistin

Zbardhet dosja e ekzekutimit të Rauf Dokos më 10 maj të vitit 1997. Prangoset Edmond Xhelaj, shpallen në kërkim dy shokët e tij

BERAT – Zbardhet njëra nga dosjet e vjetra kriminale të vitit 1997 në rrethin e Beratit, ku ka rënë në pranga një 30-vjeçar në lidhje me vrasjen e një taksisti. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë të ditur se kanë arrestuar shtetasin Edmond Xhelaj, lindur dhe banues në komunën e Uznovës. Për prangosjen e Xhelajt, forcat e policisë organizuan operacionin e koduar “Vjeshta e fundit”, ku morën pjesë edhe ekspertë të prokurorisë së rrethit. Prej më shumë se 10 vjetësh, 30-vjeçari kërkohej për një vrasje të kryer në bashkëpunim të shtetasit Rauf Doko dhe që prej datës 7 nëntor të këtij viti gjykata kishte lëshuar urdhërarrestin për të.
Arrestimi
Hetimet disavjeçare të ekspertëve të policisë dhe të prokurorisë zbardhën vrasjen e Rauf Dokos, e ndodhur më 5 maj të vitit 1997. Forcat e policisë së Beratit arrestuan dje paradite 30-vjeçarin e shumëkërkuar, i dyshuar për vrasjen e një taksisti. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bënë të ditur se të mërkurën "strukturat e policisë së Qarkut të Beratit, në bashkëpunim me Prokurorinë e këtij rrethi, finalizuan operacionin "Vjeshta". Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Beratit, me vendim të datës 7 nëntor 2008, ka vendosur në mungesë masën e sigurisë "arrest me burg" për 30-vjeçarin Xhelaj. Ai akuzohet për veprën penale të “vrasjes së kryer në bashkëpunim”. Ndërkohë, sipas burimeve të mësipërme, mësohet se policia po punon për arrestimin edhe të dy bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë vrasje.
Ngjarja
Edmond Xhelaj, së bashku me dy të rinj të tjerë, më 05 maj të vitit 1997 dyshohet se kanë masakruar shtetasin Rauf Doko në rrugën nacionale Berat-Poliçan. Sipas hetimeve të bëra deri tani, rreth orës 12.00 të datës 05 maj tre të rinjtë kanë prenotuar një taksi në pronësi të Dokos dhe kanë lëvizur me mjetin e këtij të fundit nga qyteti i Poliçanit për në drejtim të Beratit. Rrugës, 30-vjeçari Edmond Xhelaj, i cili atëherë ishte vetëm 19 vjeç, si dhe dy personat e tjerë, kanë kryer vrasjen e taksistit Rauf Doko duke e hedhur kufomën në anë të rrugës dhe më pas kanë braktisur mjetin e tij. Që prej asaj kohe, strukturat policore dhe prokuroria nisën hetimet, të cilat u ndërprenë përkohësisht. Para një viti u rihapën sërish hetimet dhe nxorrën në dritë autorët e njërës prej ngjarjeve kriminale që ndodhën gjatë vitit të trazirave në qarkun e Beratit.

Tenton të vrasë 29-vjeçarin, përfundon në pranga

SHKODËR – Tenton të vrasë me armë zjarri në qytetin e Shkodrës një bashkëmoshatar, por është arrestuar nga policia. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është ndaluar ditën e djeshme shtetasi Altin Billa, banor i lagjes “Skënderbeg”,
në qytetin verior. Zëdhënësja e Komisariatit të Shkodrës, Fatbardha Çelepia, tha se pas një sinjalizimi të marrë nga komuniteti, grupet e gatshme të këtij komisariati mbërritën në mënyrë urgjente pranë Spitalit të vjetër të Shkodrës, në hyrje të të cilit 29-vjeçari Billa tentoi të vriste me pistoletë shtetasin T.L., edhe ai banor në qytetin e Shkodrës. Sipas policisë, ngjarja erdhi pas një grindjeje që Billa dhe T.L. kishin pasur dy ditë më parë.
Materialet në ngarkim të shtetasit Altin Billa i kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit. Gjatë dy muajve të fundit janë shtuar ndjeshëm atentatet në mjediset publike në qytetin e Shkodrës, ku nuk kanë munguar as viktimat dhe të plagosurit.

20 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›