Topalli: Asnjë nuk i mban mend enciklikat e Edi Ramës
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në turin e saj "NATO, ne ia dolëm" në Postribë, Grudë, Gur i Zi sulmon liderin e PS-së, Edi Rama, duke deklaruar se "nuk shfaq asnjë ide, koncept në takimet që zhvillon". "A mbani mend gjatë gjithë dialogut të Edi Ramës në Shqipëri apo nga enciklikat e Edi Ramës, mbani mend ju të ketë thënë ndonjë koncept, një frazë, të ketë dhënë një ide, të ketë thënë një fjalë që ka mbetur në mendjen tuaj? Dhe a dini pse nuk mbani mend asnjë frazë? Sepse ai nuk ka asnjë koncept dhe asnjë ide. Me përjashtim të një koncepti, të konceptit të lejeve të ndërtimit", deklaroi Topalli. Në vijim të takimeve, Kryetarja e Kuvendit ishte sot dhe në komunën e Grudës dhe Guri Zi, ku ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen që banorët e këtyre komunave u japin reformave për ndryshim. "Unë si politikane jam e detyruar të ndjek edhe kundërshtarin, çdo gjë që ai thotë. Unë nga Komuna e Grudës, i them kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili u shpreh se ata që marrin ndihmë sociale, ndihma nga shteti, nuk do ua japë më. E para, nuk do të votojnë ty. E dyta, PD nuk të lejon ty, që për ata njerëz që kanë nevojë, të mos marrin ndihmë sociale, sepse ai e di mirë se e ka rrogën 1 milion e gjysmë shtoi edhe 15 përqindëshat e lejeve të ndërtimit", theksoi Topalli. Pas këtyre deklaratave reagoi Shalsi, duke theksuar se "Topalli vazhdon të çalojë si e gjithë politika e vjetër dhe të lëshojë baltë e mllef në të gjithë Shqipërinë që vuan varfërinë e papunësinë në rritje dhe që pret nga politika ide e zgjidhje të reja. Me keqardhje i them Znj.Topalli se është bërë njësoj si ata, që në regjimin e kaluar fabrikonin akuzat e shpifjet kundër saj e njerëzve të saj. Demokrate me gjasme, sigurimse me fakte".