Qeveria, vëmendje të plotë për fëmijët jetimë

Kryetarja e Kuvendit në Ditën Kombëtare në ndihmë të Fëmijëve Jetimë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në Ditën Kombëtare në ndihmë të fëmijëve jetimë bëri thirrje për më shumë vëmendje dhe dashuri ndaj tyre.
Në fjalën e mbajtur në aktivitetin e organizuar nga Shoqata kombëtare e fëmijëve jetimë në bashkëpunim me shkollat e Tiranës, kryetarja Topalli tha se ndonëse parlamenti ka miratuar disa ligje dhe ka shtuar fondet, sërish kjo është e pamjaftueshme.
“Ju nuk jeni vetëm, sepse shteti e ka për detyrë të punojë për ju, sepse shteti punon për ju, se shoqëria civile punon për ju dhe financon seriozisht, që juve të mos ju mungojë asgjë”, u shpreh ajo.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se, “unë jam e kënaqur që në parlament ne kemi bërë disa ndryshime, kemi kaluar disa ligje, kemi shtuar fondet. Por unë e di se kjo është e pamjaftueshme. Unë dua t’ju them se kjo është një ditë e veçantë për ju, por dua të falënderoj edhe mësueset që kanë ardhur me fëmijët e tjerë, shokë e shoqet dhe nxënësit për ta bërë këtë ditë të bukur, për të parë këtë koncert të veçantë përmes të cilëve unë dua t’ju them diçka: Ju nuk jeni vetëm sepse shteti e ka për detyrë për të punuar për ju, sepse shteti punon për ju, sepse është shoqëria civile e cila punon për ju, sepse janë shoqata këtu të pranishme që financojnë seriozisht që juve të mos ju mungojë asgjë. Natyrisht unë do të doja që pot ë ishte e mundur t’jua bëja çdo ditë të bukur, të dashur, të gëzueshme, të lumtur. Unë jam e sigurt se ai që ka i kaluar vështirësitë punon më shumë dhe arrin më shumë. Ai që ka një gjë të munguar në jetën e tij që sigurisht është e madhe ai do e kompensojë dhe do e bëjë jetën e tij të dashur, të gëzueshme, të lumtur bashkë me shokët edhe më shoqet”, tha kryetarja e Kuvendit, Topalli.