E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, vendime të reja për liberalizimin e licencave dhe kompensimin e pronave

Mbledhja e djeshme e Këshillit të Ministrave

TIRANE - Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi në mbledhjen e djeshme projektligjin  për licencat, autorizimet dhe lejet, duke bërë të mundur sistemin e marrjes së lejeve dhe licencave në një sportel të vetëm, “one stop shop”.
Kreu i qeverisë Sali Berisha deklaroi se “me këtë projektligj, pas regjistrimit elektronik të biznesit në një sportel të vetëm, ne ia dalim që brenda muajve të parë të vitit që vjen të instalojmë në Shqipëri “one stop shop” për një pjesë të madhe të licencave dhe lejeve, pasi kemi zhdukur ndërkohë 2/3 e tyre”.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua edhe vendimi për krijimin e Agjencisë së Zhvillimit të Shoqërisë Civile, i cili synon ngritjen e një agjencie për shpërndarjen e fondeve.
Kryeministri tha se qeveria mbetet e vendosur që çdo vit të përcaktojë fonde për shoqërinë civile, duke nënvizuar se këto fonde duhet të kenë si orientim kryesor monitorimin  e shtetit, të administratës, të sektorit publik, për sa i përket korrupsionit.
Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë Sali Berisha kërkoi nga të gjithë kryetarët e bashkive të vendit, që në territorin e bashkive të tyre të përcaktojnë toka të cilat mund t’u ofrohen pronarëve për kompensim.
Kryeministri siguroi se qeveria do të ndërhyjë dhe do të veprojë shumë fuqishëm në drejtim të zgjidhjes së çështjeve të pronarëve. Në këtë drejtim, ai theksoi se disa grupe pune po punojnë për të diversifikuar ndërhyrjet që mund dhe duhet të bëhen në zgjidhjen e këtij problemi.
Kryeministri Sali Berisha, kërkoi nga ministria e Drejtësisë që të sjellë sa më parë në qeveri të gjithë kuadrin ligjor që i jep përgjigje të menjëhershme dhe të plotë çështjes së oborreve në përdorim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›