Gjyqtari i Burrelit sulmon gazetarin
Ilia është sulmuar teksa po tentonte të intervistonte gjyqtarin e Burrelit, i dënoncuar nga banorët e një fshati për korrupsion
Gazetari i “Fiks Fare”, Ksenofon Ilia, është dëmtuar në të dyja këmbët nga makina e gjyqtarit Murat Lleshi
TIRANË- Gazetari i emisionit “Fiks Fare” sulmohet nga gjyqtari i Burrelit, teksa po tentonte t’i merrte një intervistë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në afërsi të gjykatës së Burrelit, ku gazetari Ksenofon Ilia po investigonte mbi denoncimin e disa banorëve të fshatit Urakë, të cilët akuzonin gjyqtarin Murat Lleshi se nuk i lejonte të ndërtonin një urë. Pasi ka intervistuar banorët e fshatit, gazetari i “Fiks Fare” ka tentuar t’i shkëpusë një reagim edhe gjyqtarit të akuzuar. Ky i fundit, jo vetëm që nuk ka pranuar të shpjegojë arsyet pse nuk i lejonte banorët të ndërtonin urën, por edhe ka shkaktuar plagosjen e gazetarit Ksenofon Ilia, në tentativë për t’i shpëtuar pyetjeve të tij.
***
“ Gjyqtari Murat Lleshi hipi në furgonin e të vëllait, për t’i shpëtuar kamerës. Unë e ndoqa furgonin, duke u kapur pas pasqyrës dhe i kërkova të vëllait të ndalonte, që të kisha mundësi të pyesja gjyqtarin. Ai më ka tërhequr zvarrë për disa metra, e gjatë kësaj kohe i thoshte gjyqtarit Lleshi të nxirrte pistoletën e të më qëllonte”,-pohoi mbrëmë për “Shekullin” gazetari Ksenofon Ilia. Ai shpjegon se furgoni nuk ka ndaluar, megjithëse ai ka rënë përtokë, duke dëmtuar rëndë gjunjët. Por më shqetësuese kanë qenë kërcënimet për nxjerrje pistolete nga vëllai i gjyqtarit Murat Lleshi, gjyqtar ky që tentoi të zgjidhej kryetar i Gjykatës së Burrelit, vetëm pak kohë më parë.
***
Pas këtij sulmi me pasoja, gazetari Ksenofon Ilia dhe grupi i xhirimit i është drejtuar policisë së Burrelit, duke rrëfyer për punonjësit e policisë gjithë historinë si dhe duke firmosur një kallëzim penal në adresë të gjyqtarit Murat Lleshi. “Pasi denoncova ngjarjen në polici, i jam drejtuar spitalit, ku edhe mora ndihmën mjekësore. I kam të dy gjunjët e dëmtuar dhe nuk mund të eci”,-thotë Ksenofon Ilia, duke shtuar se shpreson që policia të ndjekë siç duhet këtë çështje. “Tani na mbetet të presim se çdo të bëjë policia, megjithëse ky është një ndër rastet kur përballemi me dhunën dhe presionin e zyrtarëve”,-shton gazetari i dhunuar. Në fakt, ngjarja e djeshme sjell edhe një tjetër herë në vëmendjen e publikut rastet kur gazetarë të mediave të ndryshme janë kërcënuar apo dhunuar nga zyrtarët shtetërore, në kohën kur janë duke kryer misionin e tyre.Vetëm pak muaj më parë, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Tomë Doshi, dhunoi gazetarin e agjencisë “BIRN”, Besart Likmeta, por edhe pse ngjarja u denoncua, asnjë masë nuk u mor ndaj autorit të dhunës.a.bogdani
Gazetari i “Fiks Fare” pohon se vëllai i gjyqtarit Lleshi e nxiste të qëllonte me pistoletë
Ilia: Momentet e sulmit
nga gjyqtari i Burrelit
TIRANË- Gazetari Ksenofon Ilia shpreson që drejtësia të funksionojë, pas denoncimit të sulmit të gjyqtarit Murat Lleshi. Në një intervistë për “Shekullin” ai rrëfen minutat e sulmit, kur mbeti i dëmtuar dhe u kërcënua se do të qëllohej me pistoletë.
Zoti Ksenofon, ju jeni sulmuar nga gjyqtari i Burrelit, teksa po tentonit t’i merrnit një intervistë. A mund të na rrëfeni ato momente, gjatë të cilave mbetët i dëmtuar?
Unë kisha shkuar në Burrel, në ndjekje të denoncimit të mbi 100 banorëve të fshatit Urakë, të cilët akuzonin gjyqtarin Murat Lleshi se nuk i lejonte të ndërtonin një urë. Pasi intervistova banorët e fshatit Urakë, shkova në gjykatën e Burrelit, për t’i marrë një reagim edhe gjyqtarit, si palë e akuzuar. Ai nuk pranoi të na takonte, e ndërsa po e prisja të dilte nga gjykata, u fut menjëherë në një furgon, që ishte i vëllait të tij. Unë u afrova me shpejtësi tek furgoni dhe në momentin që u kapa pas tij, ai i dha gaz, duke më tërhequr zvarrë për disa metra. Gjatë kësaj kohe, unë i thoshja të ndalonte furgonin, që të bisedonim, derisa rashë përtokë.
Gjatë kohës që ju i kërkonit gjyqtarit të ndalonte për të biseduar, si ju përgjigj ai?
Gjyqtari Murat Lleshi nuk fliste, ndërsa i vëllai i përsëriste vazhdimisht që të nxirrte pistoletën dhe të më qëllonte. Fjalët e tij janë filmuar edhe nga kamera e “Fiksit”. I gjendur në këto kushte, unë e pashë veten të rrëzuar përtokë. Jam dëmtuar në të dy gjunjët dhe tashmë ndodhem në shtëpinë time, pasi nuk mundem të eci.
Zoti Ksenofon, gjatë vizitës që bëtë në spital, cili ishte konkluzioni i mjekut? Shpresojmë të mos jeni dëmtuar shumë..
I kam të dëmtuar të dy gjunjët, por fatmirësisht nuk kisha thyerje. Tashmë kam vështirësi në ecje, që shpresoj se do të kalojë.
A e keni denoncuar gjyqtarin në polici dhe cilat do të jenë veprimet tuaja të mëpasme?
Ne bëmë një denoncim në policinë e Burrelit, për gjyqtarin Murat Lleshi dhe shpresojmë që drejtësia ta bëjë punën e saj. Më tej nuk kam ndërmend të bëj gjë, pasi ky është një ndër shumë rastet kur zyrtarët reagojnë në mënyrë të dhunshme. Nga ana tjetër, “Fiks Fare” do të vazhdojë të ndjekë denoncimin për korrupsion ndaj këtij gjyqtari. Bisedoi: a.b