E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati Gjokutaj “lan duart” me Pangon, mohon ta ketë pasur klient

Pango u përplas në TV me juristin. Misteri i një takimi për kasetën te “Rozafa”. Genc Gjokutaj deklaroi dje se nuk ka qenë fare avokat i Pangos në këtë kohë

Habjon Hasani

Tiranë – “Zotëri, që ta kuptoni troç fare ju atë përplasjen e thënieve të mia me të Pangos mbrëmë në emision, po të sqaroj thjesht që unë nuk jam avokati i tij. Nuk jam sot dhe nuk kam qenë as atë ditë kur u pretendua takimi me gazetarët e Fiks-it”, - pikërisht kështu i ka thënë dje pasdite “Albania”-s avokati Genc Gjokutaj. Z. Gjokutaj u cilësua mbrëmjen e së enjtes nga vetë zoti Pango si avokat i tij, i cili shkoi të takonte disa përfaqësues të emisionit “Fiks fare”. Përmendja e emrit të Gjokutajt bëri që fillimisht ai t’i telefononte me irritim gazetarit Fevziu në telefonin e tij privat, ndërsa pak minuta më vonë Gjokutajt iu mundësua një lidhje direkte në emision. Pikërisht në këtë lidhje Gjokutaj hodhi poshtë thënien e Pangos (sipas të cilit ai autorizoi Gjokutajn të interesohej), por Gjokutaj në emision deklaroi: “Ju garantoj me saktësi matematikore se nuk kam folur për asnjë lloj gjëje që ka lidhje me këtë histori me ata çunat e “Fiks”-it. Thjesht piva një gjysmë gote verë dhe tregova nja tri barcoleta shumë të bukura me ta. Kaq, unë nuk kam pasur asnjë lloj porosie nga z. Pango për të pyetur ata”, - ka deklaruar në emisionin e mbrëmjes së të enjtes z. Gjokutaj, i cili në këtë emision mohoi se ka qenë i mandatuar posaçërisht për këtë çështje nga Pango. Madje, Pango, pas deklaratës së Gjokutajt, i gjendur ngushtë, tha se nuk mund ta dinte me saktësi se çfarë kishte bërë avokati i tij në atë lokal. Ndërda dje, i kontaktuar nga “Albania”, Gjokutaj ka bërë një tjetër deklaratë ku jo vetëm që mohon se ka shkuar me porosi të “klientit Pango” në atë lokal, por mohon dhe faktin se ai ka marrëdhënie klient-avokat me Pangon.

Telefonata

“Ju duhet ta kuptoni se marrëdhëniet avokat-klient nuk janë me të thënë, por janë marrëdhënie konkrete. Si mund të isha unë avokati i tij kur në kohën për të cilën bëhej fjalë ai nuk kishte ndonjë çështje për gjykim! Pra, as kam qenë fare avokati i tij e jo më të kem negociuar me porosi të tij. Kur nuk ka një çështje në gjykatë, apo kur ende nuk ka nisur një procedim penal nga prokuroria, unë s’mund të jem avokat në hava”, - deklaroi dje për “Albania”-n Gjokutaj. Ky pohim i fundit i Gjokutajt jo vetëm që hedh poshtë pretendimin e Pangos për ndonjë “zbatim porosie te Rozafa” nga Gjokutaj, por hedh poshtë madje dhe pretendimin e Pangos, i cili pretendoi publikisht se avokat të tijin personal ka Genc Gjokutajn. Ky i fundit e mohoi të jetë avokat i Pangos. Megjithatë, gjatë telefonatës në emisionin “Opinion”, ai nuk e mohoi këtë fakt, por vetëm sa mohoi faktin se “mund të ishte interesuar te gazetarët e “Fiks”-it për llogari të Ylli Pangos”.

Gjokutaj

Avokati Genc Gjokutaj gjatë karrierës së tij profesionale ka mbrojtur me qindra klientë, por katër vitet e fundit ai ka spikatur pasi ka qenë në mbrojtje të pjesës dërrmuese të zyrtarëve të lartë qeveritarë të akuzuar, por edhe biznesmenëve që po ndiqen penalisht për lidhje me këta zyrtarë. Bashkëpunëtorët më kryesorë të Berishës janë mbrojtur prej tij. Gjokutaj, mbron ish-ministrin e Transporteve Lulzim Basha, një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Berisha në çështjen kaq shumë të përfolur për korrupsion, atë të Rrugës Durrës-Kukës. Ai gjithashtu mbron biznesmenin Damir Fazlliç, mbi të cilin janë ngritur dyshime për transaksione të paligjshme në Shqipëri, që sipas prokurorëve dyshohet të jenë pastrim parash. Në detyrën e prokurorit në Tiranë, Gjokutaj hetoi gjithashtu dhe përfaqësoi në gjykatë akuzën për ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili u dënua nga Fakti dhe Apeli. Gjokutaj ka mbrojtur gjithashtu edhe ish-drejtorin e Aviacionit Gazmend Dibra, aktualisht në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Siç mund të vihet re lehtë, karriera e Gjokutajt ka qenë e lidhur ngushtë, sidomos kohët e fundit, me maxhorancën në pushtet për të mbrojtur skandalet më të mëdha ku janë të përfshirë njerëz të marrë në mbrojtje të drejtpërdrejtë politike nga kreu i qeverisë “Berisha”.

Deklarata në emision, Pango: “Avokati im, Gjokutaj, u interesua direkt për mua”

Blendi Fevziu: Më përmendin, nuk mbaj përgjegjësi për pyetjen, se avokati juaj Genc Gjokutaj ka biseduar me “Fiks Fare” në emrin tuaj.

Yli Pango: Është avokati im, i kam kërkuar të shkojë të investigojë se si është puna.

Blendi Fevziu: Jo të ofrojë para?

Ylli Pango: Absolutisht, thjesht të bisedojë.

Av. Genc Gjokutaj: Në lidhje me çështjen, unë nuk kam marrë asnjë takim dhe ju konfirmoj me garanci matematike se unë nuk kam ndërmarrë asnjë takim lidhur me këtë çështje, sepse nuk e kam ditur deri në momentin që është transmetuar nga Top Channel.

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›